

Gjithsej 143 kompani kineze bëjnë pjesë në listën e 500 ndërmarrjeve kryesore të botës për sa u përket të ardhurave nga biznesi, duke e vendosur Kinën në krye të renditjes për të dytin vit radhazi, sipas listës së revistës “Fortune” mbi 500 kompanitë kryesore globale për vitin 2021 të publikuar të hënën.
Rrjeti Shtetëror i Kinës u ngjit në vendin e dytë në listë këtë vit, ndërsa gjigandi teknologjik “Huawei” arriti nga nr. 49 në nr. 44, pavarësisht sanksioneve të ShBA-së kundër kësaj kompanie.
“Xiaomi”, “JD.com”, “Alibaba” dhe “Tencent“ janë ndër shtatë kompanitë kineze të internetit në listën e sivjetshme, ndërsa tre të tjerat janë nga ShBA-ja, përkatësisht “Amazon”, “Alphabet” dhe “Facebook”.
Ndër shtatë gjigantët kinezë të internetit, “Xiaomi” pati rritjen më të madhe në renditje, me 84 vende.
Kina kishte 133 kompani në këtë listë vitin e kaluar, duke i kaluar Shtetet e Bashkuara për herë të parë.
Sivjet lista përmban 122 kompani amerikane, një më shumë se vitin e kaluar, ndërsa Japonia ruajti të njëjtën shifër, 53.
Të ardhurat e përgjithshme të kompanive më të mëdha në botë u ulën me 4.8 për qind në vitin 2021, duke arritur në 31.7 trilionë dollarë, rënia e parë në pesë vjet.
Për shkak të ndikimit të COVID-19, shitjet në sektorët e energjetikës dhe automjeteve ranë me mbi 10 për qind, ndërsa të gjashtë kompanitë ajrore të përfshira në listën e vitit të kaluar nuk arritën të hyjnë në listë këtë vit.







