Foto nga VCG

Të hënën, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying u shpreh se, me ftesën e ministrit të Jashtëm të Bruneit, vendit kryetar të radhës të ASEAN-it, nga 3 deri më 6 gusht ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të marrë pjesë nëpërmjet videos në një varg takimesh të ministrave të Jashtëm të bashkëpunimit të Azisë Lindore.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e tanishëm midis vendeve të Azisë Lindore, zëdhënësja Hua Chunying u shpreh se Kina e konsideron gjithmonë ASEAN-in si një forcë të rëndësishme për mbrojtjen e paqes e të stabilitetit rajonal dhe për nxitjen e integrimit rajonal. Kina e përkrah ASEAN-in të luajë një rol më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare e rajonale.

Hua Chunying shprehu shpresën e Kinës në katër drejtime për takimet e ministrave të Jashtëm të bashkëpunimit të Azisë Lindore.

Së pari, thellimi i bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë. Kina do të përpiqet të plotësojë kërkesat e vendeve të këtij rajoni për vaksina dhe përkrah ndërtimin së bashku të qendrave rajonale të prodhimit e të shpërndarjes së vaksinave, për të përhapur vaksinat në këtë rajon.

Së dyti, nxitja e rimëkëmbjes ekonomike. Takimet duhet të nxitin vënien në zbatim sa më parë të traktatit të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP).

Së treti, nxitja e zhvillimit të vazhdueshëm. Palët përkatëse duhet të zhvillojnë bashkëpunim në fushën e ndryshimit të klimës, të mbrojtjes së mjedisit, të parandalimit të fatkeqësive, të energjisë së re etj.

Së katërti, zbatimi i multilateralizmit. Duhet të mbrohet me vendosmëri sistemi ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe rendi ndërkombëtar me të drejtën ndërkombëtare si bazë. (Fani)