
Rover “Zhurong” i Kinës ka filluar të përshkojë një zonë komplekse të terrenit në Mars me gurë, kratere dhe duna rëre, sipas Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës (CNSA).
Që nga e premtja, “Zhurong”-u ka punuar në sipërfaqen e Marsit për 75 ditë marsiane, duke udhëtuar gjithsej 708 metra, tha CNSA.
Një ditë marsiane është afërsisht 40 minuta më e gjatë se një ditë tokësore.
Javën e kaluar, roveri udhëtoi në një dunë dhe kreu gjurmime shkencore atje. Pas përfundimit të eksplorimit të topografisë, ai do të vazhdojë të lëvizë drejt jugut dhe pritet që këtë javë të arrijë në një terren kompleks me shkëmbinj, kratere dhe duna të dendura.
Ekipi i Tokës do të përdorë imazhet që ka për të kryer pozicionimin vizual të roverit dhe planifikimin e rrugës, dhe për të drejtuar roverin të kalojë në mënyrë të sigurt terrenin kompleks.
Kur takon një objektiv shkencor, roveri do të kryejë prova me ngarkesat shkencore që mbart dhe do të marrë të dhëna shkencore gjatë udhëtimit.
Orbituesi, i cili shërben si një satelit komunikimi për misionin e Marsit, ka punuar në orbitë për 372 ditë.
Roveri dhe orbituesi janë që të dy në gjendje të mirë, me secilin nënsistem në funksionim normal.
Misioni kinez “Tianwen-1”, i përbërë nga një orbitues, një zbritës dhe një rover, u nis më 23 korrik 2020. Zbritësi që mbante roverin u ul në pjesën jugore të Utopia Planitia, një fushë e gjerë në hemisferën veriore të Marsit, më 15 maj. (Artan/Fani)







