
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm Kinez Wang Yi u takuan të mërkurën në Tianjin të Kinës Veriore me shefin politik të talibanëve të Afganistanit Mullah Abdul Ghani Baradar.
Talibanët afganë, si një forcë e rëndësishme ushtarake dhe politike në vend, pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e paqes, pajtimit dhe rindërtimit të Afganistanit, theksoi Wang.
Ai u bëri thirrje talibanëve afganë që të vënë interesat e tyre kombëtare në plan të parë, të mbajnë lart flamurin e bisedimeve të paqes, të vendosin objektivin e paqes, të krijojnë një imazh pozitiv dhe të ndjekin një politikë përfshirëse.
Tërheqja e papritur e forcave të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani shënon dështimin e politikës së Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe afganët tani përballen me një mundësi të rëndësishme për të stabilizuar dhe zhvilluar vendin e tyre, tha ai.
Wang u kërkoi të gjitha fraksioneve dhe grupeve etnike në Afganistan të qëndrojnë të bashkuar, të zbatojnë parimin e "udhëheqjes nga afganët dhe në zotërim të afganëve", të promovojnë procesin e paqes dhe pajtimit në Afganistan për të arritur rezultate thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur, dhe të krijojnë në mënyrë të pavarur një strukturë politike gjithëpërfshirëse në përputhje me kushtet kombëtare të Afganistanit.

Siç mësohet, ministri Wang u bëri thirrje njëkohësisht talibanëve afganë të ndahen qartazi me të gjitha organizatat terroriste, përfshirë Lëvizjen Islamike të Turkistanit Lindor (ETIM), dhe të luftojnë me vendosmëri kundër tyre. Ai tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka përcaktuar ETIM-in si një organizatë terroriste ndërkombëtare. Organizata përbën kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare e integritetit territorial të Kinës, prandaj është përgjegjësi e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare të luftojë kundër ETIM-it, shtoi ai.
Baradari udhëheq një delegacion të talebanëve që po viziton Kinën. Ai tha se grupi i tij nuk do të lejojë asnjë forcë ta përdorë territorin e Afganistanit për të dëmtuar interesat e Kinës.
Baradari theksoi se talebanët janë të sinqertë në kërkimin e paqes dhe janë të gatshëm të punojnë me palët e tjera për një marrëveshje politike të gjerë e gjithëpërfshirëse, që është e pranueshme nga të tërë afganët.
Talibanët besojnë se Afganistani duhet të krijojë lidhje miqësore me vendet fqinje të tij dhe bashkësinë ndërkombëtare, shtoi ai.
Baradari është bashkëthemelues i Talibanëve Afganë dhe kreu i zyrës politike të këtij grupi në Katar. Kjo është hera e parë që një anëtar i lartë i kësaj organizate viziton Kinën që nga përshkallëzimi i luftimeve midis forcave të qeverisë afgane dhe talibanëve në muajt e fundit.







