Qeveria kineze ka caktuar disa miliarda juanë nga fondet rezervë të buxhetit të shtetit për rindërtimin e zonave të goditura rëndë nga përmbytjet. Kështu bëri të ditur kryeministri kinez Li Keqiang gjatë drejtimit të një videokonference në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Përmbytjeve dhe Zbutjes së Thatësirës të hënën, disa ditë pasi reshje të mëdha shiu goditën provincën Henan të Kinës Qendrore dhe rajone të tjera.

Në këtë videokonferencë morën pjesë zyrtarë të lartë nga provincat Henan, Hebei, Jiangsu, Zhejiang e Anhui, si edhe nga disa organe të qeverisë qendrore.

Z. Li u kërkoi autoriteteve në Henan dhe rajone të tjera të prekura nga përmbytjet që t'i japin përparësi evakuimit të njerëzve të bllokuar, duke kërkuar të bëhen të gjitha përpjekjet për të minimizuar numrin e viktimave.

Ai bëri thirrje gjithashtu për ndershmëri, hapje dhe transparencë në publikimin e informacionit në lidhje me punën e shpëtimit. Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar sistemin e paralajmërimit dhe reagimit të hershëm, shtoi ai.

Në rast emergjencash, duhet të ndërmerren veprime të vendosura për të pezulluar punën, mësimin dhe biznesin, përveç sektorëve të veçantë, theksoi kreu i qeverisë kineze.

Kryeministri bëri thirrje për masa efektive për të garantuar sigurinë e njerëzve në metro dhe tunele, duke theksuar se ato duhet të mbyllen në kohën e duhur në raste emergjencash.

Dymbëdhjetë veta humbën jetën javën e kaluar pas hyrjes së ujërave në vagonët e metrosë, duke bllokuar qindra udhëtarë në kryeqendrën e provincës Henan Zhengzhou. Ndërkohë, një numër i madh automjetesh u bllokuan në tunele në qytet gjatë shiut të madh.

Li tha se disa miliardë juanë nga fondet rezervë të buxhetit qendror do të ndahen menjëherë për rajonet e goditura më keq për të mbështetur rindërtimin, duke shtuar se më shumë fonde do të jepen pas shqyrtimit të humbjeve nga fatkeqësitë.

Numri i të vdekurve nga shiu i rrëmbyeshëm në Henan arriti në 69 deri në mesditën e së hënës, ndërsa pesë persona janë të zhdukur, thanë autoritetet vendore. Gati 13 milionë veta janë prekur nga kjo fatkeqësi në Henan. (Artan/Fani)