
Wang Yi takohet me zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Tianjin të Kinës Veriore, 26 korrik 2021. / Ministria e Jashtme kineze
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shpalli të hënën tre “vijat e kuqe” të Kinës në marrëdhëniet me ShBA-në, duke e nxitur palën amerikane t’i respektojë ato, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe.
Gjatë takimit me zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Tianjin të Kinës Veriore, Wang tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të sfidojnë, të përbaltin apo edhe të përpiqen të minojnë rrugën dhe sistemin e socializmit me karakteristika kineze. Rruga dhe sistemi i Kinës, të zgjedhur nga historia dhe populli kinez, janë çështje të mirëqenies dhe të së ardhmes së popullit, si dhe interesa thelbësorë që Kina duhet t’i ndjekë me vendosmëri, shtoi ai.
Së dyti, ShBA-ja nuk duhet të përpiqet të pengojë ose të ndërpresë procesin e zhvillimit të Kinës. Populli kinez ka të drejtë të bëjë një jetë më të mirë dhe Kina ka të drejtë të modernizohet, theksoi Wang, duke kërkuar që ShBA-ja të heqë të gjitha sanksionet e njëanshme, tarifat e larta dhe bllokadën e teknologjisë që i ka vendosur Kinës sa më shpejt të jetë e mundur.
Kërkesa e tretë e Kinës është që Shtetet e Bashkuara të mos shkelin sovranitetin kombëtar e të mos dëmtojnë integritetin territorial të Kinës, theksoi kreu i diplomacisë kineze, duke iu referuar çështjeve lidhur me Xinjiang-un, Tibetin, Hong-Kongun dhe Tajvanin e Kinës. Këto çështje nuk kanë pasur kurrë lidhje me "të drejtat e njeriut" ose "demokracinë", por me "pavarësinë” e Xinjiang-ut, Tibetit dhe Hong-Kongut. Asnjë vend nuk mund të lejojë që sovraniteti dhe siguria e tij kombëtare të cenohen.
Lidhur me marrëdhëniet e tanishme të tensionuar dypalëshe, ministri i jashtëm kinez shprehu kundërshtimin e fortë të Pekinit ndaj politikës së jashtme ekstreme dhe të gabuar që ndjek administrata e re e ShBA-së ndaj Kinës dhe tha se arsyeja kryesore për këtë është një perceptim i gabuar për Kinën.

Wang Yi takohet me zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Tianjin të Kinës Veriore, 26 korrik 2021. / Ministria e Jashtme kineze
Duke ritheksuar angazhimin e Kinës në rrugën e zhvillimit paqësor dhe për një strategji të hapur të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, Wang siguroi se Kina nuk do të ndjekë kurrë rrugën e fuqive të mëdha duke kërkuar hegjemoni. Kina është e gatshme të realizojë zhvillimin dhe begatinë e përbashkët me të gjitha vendet, duke përfshirë ShBA-në, shtoi ai. "Zhvillimi i Kinës ka për qëllim kërkimin e lumturisë për të gjithë kinezët, e jo të sfidojë ose zëvendësojë ShBA-të. Ne nuk kemi asnjë interes në fitoren apo humbjen e palës amerikane. Zhvillimi i Kinës nuk bazohet në parakushtin e rënies së ShBA-së," u shpreh Wang.
Duke vënë në dukje se Kina dhe ShBA-ja, si përkatësisht vendi më i madh në zhvillim dhe vendi më i madh i zhvilluar në botë, nuk mund të zëvendësojnë ose të mposhtin njëra-tjetrën, Wang bëri thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut.
Sherman, nga ana e saj, e pranoi se marrëdhëniet kino-amerikane janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë. Pala amerikane është e gatshme të vazhdojë diskutimet e sinqerta me Kinën, theksoi ajo, duke shtuar se ShBA-ja shpreson që të dy vendet të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit përsëriti se ShBA-ja nuk ka ndër mend të kufizojë zhvillimin e Kinës e as të përmbajë Kinën, dhe theksoi se e sheh me kënaqësi zhvillimin e Kinës.
Znj. Sherman bëri thirrje për konkurrencë të shëndetshme midis të dy palëve dhe sugjeroi që ato të bashkëpunojnë për ndryshimin e klimës, kontrollin e drogës dhe çështjet e nxehta ndërkombëtare dhe rajonale.
Si dy vende të mëdha, ShBA-ja dhe Kina mund të komunikojnë dhe të diskutojnë në një mënyrë të përgjegjshme edhe nëse kanë dallime, vuri në dukje numri dy i diplomacisë amerikane, duke shpresuar që të dy palët të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre.
Sherman ritheksoi se ShBA-ja respekton parimin e “Një Kine” dhe nuk e mbështet "pavarësinë e Tajvanit".(Artan)







