
Rajoni Autonom i Tibetit i Kinës, i njohur si " toka e fundit e pastër në botë" dhe "çatia e botës", feston 70- vjetorin e çlirimit paqësor këtë vit, ndërsa po shpallen planet për zhvillimin e ardhshëm të këtij rajoni.
Në mbledhjen e nivelit të lartë të vitit të kaluar për Tibetin, qeveria kineze hartoi udhërrëfyesin e politikave për ndërtimin e një rajoni të ri modern socialist të bashkuar, të begatë, të përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe të bukur.
Paqja dhe qëndrueshmëria afatgjatë e Tibetit, si dhe zhvillimi i qytetërimit ekologjik dhe arritja e një zhvillimi me cilësi të lartë, ishin ndërmjet çështjeve të theksuara gjatë turneut treditor të inspektimit të presidentit kinez Xi Jinping në këtë rajon, që filloi të mërkurën, për të kremtuar 70-vjetorin e çlirimit paqësor.
Gjatë vizitës, presidenti Xi u njoh me mbrojtjen ekologjike në pellgun e lumit Yarlung Zangbo dhe degën e tij, lumin Nyang.

"Duhet t'i japim përparësi me vendosmëri ekologjisë dhe të synojmë zhvillimin e gjelbër, të përpiqemi për modernizimin duke u përqendruar në bashkëjetesën harmonike ndërmjet njeriut e natyrës dhe të mbrojmë mjedisin e Polit të Tretë," u shpreh ai.
"Cilësia e lartë" është një tjetër shprehje kyçe në planin për zhvillimin e Tibetit. Presidenti Xi përshkroi elementet kyçe të këtij procesi: garantimi i sigurisë kombëtare dhe i qëndrueshmërisë e paqes afatgjatë, përmirësimi i vazhdueshëm i jetës së njerëzve, ruajtja e një mjedisi të mire natyror, forcimi i mbrojtjes kufitare dhe garantimi i sigurisë në kufi. Kreu i shtetit i Kinës theksoi se duhet të thellohet procesi i Reformës e Hapjes dhe duhet të përshpejtohet ndërtimi i hekurudhave, autostradave dhe infrastrukturës tjetër kryesore.
Gjatë vizitave në manastirin “Drepung”, rrugën “Barkhor” dhe Sheshin e Pallatit “Potala” në Lhasë, Xi Jinping-u theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së besimit fetar, të administrimit të çështjeve fetare në përputhje me ligjin dhe të orientimit të budizmit tibetan.







