Një koment i ri ka hedhur poshtë edhe një herë teorinë e daljes prej laboratorit të virusit të COVID-19, duke zbatuar një teori klasike evolucionare për të argumentuar pse SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, mund të ketë ardhur vetëm nga natyra.

Pjesa, e titulluar "Mbi origjinën e SARS-CoV-2 - Argumenti i orëbërësit të verbër", u botua të premten në revistën akademike “Science China - Life Sciences” nga 22 shkencëtarë që punojnë në universitete dhe institucione kërkimore kineze.

Sipas autorëve, përzgjedhja natyrore është një proces “i verbër”, i pavetëdijshëm, automatik, pa ndonjë qëllim, i cili luan rolin e një orëbërësi të verbër.

Një lloj i përshtatur përsosmërisht nuk mund të krijohej menjëherë, por do të duhej të grumbullonte ndryshime të vogla, që rrisin përshtatshmërinë përmes ndryshimeve të rastësishme për periudha të gjata kohore, njoftoi “Xinhua” duke cituar Wu Chung-I, autor i komentit dhe profesori i Shkollës së Shkencave të Jetës në Universitetin Sun Yat-sen në provincën Guangdong të Kinës Jugore.

SARS-CoV-2 është "përshtatur jashtëzakonisht mirë për popullatat njerëzore dhe zhvendosja e tij përshtatëse nga kafshët bartëse te njerëzit duhet të ketë qenë edhe më e zgjeruar", thuhet në koment, i cili, sipas argumentit të orëbërësit të verbër, "mund të ndodhë vetëm në periudhën para e deri në fillimin e pandemisë aktuale dhe me ndihmën e përzgjedhjes hap pas hapi. "

"Në këtë këndvështrim, SARS-CoV-2 nuk mund të ketë evoluar në një treg kafshësh në një qytet të madh, dhe madje ka edhe më pak të ngjarë në një laborator," shtoi ai.

Artikulli gjithashtu vë në dukje që studiuesit kanë përzgjedhur me sukses llojet e SARS-CoV-2 që mund të infektojnë minjtë, të cilët përndryshe janë rezistentë ndaj infeksionit. Sidoqoftë, "ndryshimet e mundshme përbëjnë një pjesë aq të vogël të ndryshimeve, saqë kërkohet një shqyrtim efikas i ndryshimeve nga përzgjedhja natyrore".

Autorët dalin në përfundimin se, para fillimit të pandemisë së COVID-19, virusi mund të ketë njohur disa forma të evolucionit me shumë hapa në popullatat njerëzore, duke çuar në përshtatjen e tij të jashtëzakonshme.

Ata thanë që pretendimi për origjinën jonatyrore të SARS-CoV-2 është "i diskutueshëm", pasi asnjë ligj i njohur natyror "nuk e ndalon gjenomin e SARS-CoV-2 të evoluojë në gjendjen e tij të tanishme". Ata bënë thirrje për t'u përqendruar në proceset natyrore në lidhje me origjinën e virusit, çka do të ishte "më e frytshme".(Artan)