
Kina përsëriti të premten thirrjen për t'i bërë vaksinat e COVID-19 të arritshme dhe të përballueshme nga vendet në zhvillim, duke i përshkruar vaksinat si një "armë të fuqishme" për të mposhtur pandeminë dhe për të ringjallur ekonominë globale.
"Kina ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar për vaksinat, për të siguruar që ato të jenë të arritshme dhe të përballueshme nga vendet në zhvillim dhe që të bëhen një e mirë publike globale," tha presidenti kinez Xi Jinping gjatë fjalës së mbajtur në Takimin Jozyrtar të Liderëve të APEK-ut nëpërmjet lidhjes me video.
Kina ka ofruar më shumë se 500 milionë doza vaksinash për vendet e tjera në zhvillim dhe do të japë edhe 3 miliardë dollarë ndihmë ndërkombëtare gjatë tre vjetëve të ardhshëm për të mbështetur luftën kundër COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike e shoqërore në vendet e tjera në zhvillim, tha ai.
Mbledhja u drejtua nga kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern dhe në të morën pjesë drejtues të ekonomive të APEC. APEC-u, i themeluar në vitin 1989, është bërë një platformë e rëndësishme për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik midis 21 ekonomive në rajonin e Azi-Paqësorit.
Duke e quajtur Azi-Paqësorin një "motor kryesor për rritjen ekonomike globale", Xi tha se mposhtja e pandemisë së COVID-19 dhe rinisja e rritjes ekonomike sa më parë janë përparësitë kryesore për ekonomitë anëtare.
Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që pati rritje në vitin 2020. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i saj në gjysmën e parë të vitit 2021 u rrit 12.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës të enjten.
Xi bëri thirrje për përpjekje për të thelluar integrimin ekonomik në Azi-Paqësor, veçanërisht për të nxitur liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve.
Ai vuri në dukje se Kina ishte ndër të parat që ratifikoi marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) dhe mirëpriti hyrjen e saj në fuqi më vonë këtë vit.
RCEP, marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë, u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar nga 10 vende anëtare të ASEAN-it dhe Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. 15 vendet e saj anëtare kanë gjithsej 2.27 miliardë banorë, një PBB të përgjithshme 26 trilionë dollarë dhe një vëllim të përgjithshëm eksportesh prej 5.2 trilionë dollarësh. (Artan/Fani)







