
Foto nga VCG
Të premten, qeveria amerikane lëshoi të ashtuquajturin “paralajmërim tregtar” lidhur me Hong-Kongun, ku përbaltet mjedisi tregtar i Hong-Kongut dhe ushtrohen sanksione mbi zyrtarë të agjencisë së qeverisë qendrore kineze në Hong-Kong. Veprimi i palës amerikane ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe parimet themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Analistët vunë në dukje se ky veprim nuk do të ketë rezultat, përkundrazi, do të ngjallë zemërimin e popullit kinez, duke dëmtuar në fund interesat e vetë atyre që e kanë bërë një gjë të tillë.
Sanksionet janë një taktikë e zakonshme e qeverisë amerikane për përhapjen e hegjemonizmit në glob. Në korrik të vitit të kaluar, qeveria amerikane ushtroi sanksione mbi palën kineze lidhur me zbatimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun, por nuk pati asnjë rezultat. Këtë herë, pala amerikane shpifi se Ligji i Sigurisë Kombëtare ka shkaktuar rreziqe për funksionimin e kompanive amerikane në Hong-Kong, duke synuar të pengojë zhvillimin e Hong-Kongut e të Kinës nëpërmjet sanksioneve. Por ky veprim do të dështojë si në të kaluarën.
Pas zbatimit të Ligjit të Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun vitin e kaluar, qeveria amerikane shpalli se nuk do t’i ofrojë më Hong-Kongut trajtim të posaçëm. Por në krahasim me një vit para zbatimit të Ligjit të Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun, shuma e fondeve të mbledhura në ofertat publike fillestare në Hong-Kong i kaloi 500 miliardë dollarët hongkongas, duke u shtuar rreth 50 %. Shuma e përgjithshme e depozitave në bankat e Hong-Kongut u shtua 5.6 %, duke arritur në 14.9 trilionë dollarë të Hong-Kongut. Ligji i Sigurisë Kombëtare ka forcuar besimin e investitorëve ndërkombëtarë për të ardhmen e Hong-Kongut. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar gjithashtu statusin e qendrës financiare ndërkombëtare të Hong-Kongut.
Forca tërheqëse e Hong-Kongut për investitorët globalë vjen nga pozicioni i veçantë gjeografik, rrjeti i biznesit dhe talentet e shumta në këtë rajon, dhe ajo nuk u dha nga ShBA-ja. Me zbatimin e planit të 14-të 5-vjeçar të qeverisë qendrore, veçanërisht me përparimin e ndërtimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, Hong-Kongu do të përfshihet më tej në strategjinë kombëtare të zhvillimit të Kinës, dhe kjo është epërsia më e madhe e Hong-Kongut në zhvillimin e ardhshëm. (Fani/Artan)







