Kina shpalli të mërkurën përbërjen e delegacionit të saj prej 777 anëtarësh për Lojërat Olimpike të Tokios që do të zhvillohen këtë muaj.

Delegacioni, që përfshin 431 sportistë, është më i madhi që ka dërguar ndonjëherë Kina në Lojërat Olimpike jashtë vendit. 99.61 për qind e pjesëtarëve të delegacionit janë vaksinuar, duke përfshirë 30 trajnerë të huaj.

298 sportiste dhe 133 sportistë kinezë do të konkurrojnë në 225 disiplina në Lojërat Olimpike, të cilat pritet të hapen më 23 korrik në Tokio. Ndër 24 kampionët që përmban delegacioni, 19 fituan medalje të arta në Olimpiadën e Rios, ndërsa për 293 sportistë kjo do të jetë pjesëmarrja e parë olimpike.

14-vjeçarja Quan Hongchan, që do të marrë pjesë në disiplinën e hedhjes në ujë nga trampolina, është sportistja më e re në delegacion, ndërsa hipisti 52-vjeçar Li Zhenqiang do të jetë sportisti më i vjetër kinez në këto lojëra olimpike.

Kina pritet të fitojë një numër të madh medaljesh në sportet ku ka tradicionalisht epërsi, si pingpongu, badmintoni, gjimnastika, peshëngritja, qitja dhe hedhja në ujë. Ekipi kinez i pingpongut, i cili i fitoi të katër medajet e arit të këtij sporti në Rio, synon ta përsëritë suksesin e vet edhe këtë vit.

Kryeqyteti i Japonisë Tokio hyri zyrtarisht në gjendjen e katërt të jashtëzakonshme të hënën për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19. Restorantet duhet të mbyllen para orës 20:00 dhe gjithashtu ato ndalohet të ofrojnë pije për klientët. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë deri më 22 gusht, gjatë gjithë kohës që do të zhvillohen Lojërat Olimpike të Tokios.

Të ardhurat prej biletave do të pakësohen në mënyrë të ndjeshme, pasi olimpida do të jetë kryesisht një veprimtari televizive për shkak të pandemisë globale të COVID-19. Siç është raportuar, 97 për qind e ndeshjeve dhe e garave do të zhvillohen në stadiume të zbrazët.(Artan)