Më 7 korrik, Shtëpia e Bardhë shpalli që do të zgjatë të ashtuquajturën "emergjencë kombëtare mbi gjendjen në Hong-Kong", duke vijuar masat e sanksioneve mbi Hong-Kongun. Kjo tregon që administrata e tanishme po vazhdon politikat e gabuara të administratës së kaluar dhe po tenton të ndërhyjë në çështjet e Hong-Kongut dhe në punët e brendshme të Kinës.

Veprimi i ShBA-së ka shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe është krejtësisht një veprim i gabuar hegjemonist. Kina shpreh zemërimin dhe dënimin e saj për këtë gjë.

ShBA-ja deklaroi që ky vendim është marrë për shkak që politikat kineze lidhur me Hong-Kongun kanë kërcënuar sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe interesat ekonomike të saj. Kjo është krejtësisht një thënie kundër faktit. Hong-Kongu është një rajon administrativ i Kinës dhe qeveria qendrore kineze ushtron administrimin e plotë mbi këtë rajon, gjë që është një punë e brendshme e Kinës. Çfarë lidhjeje ka një gjë e tillë me ShBA-në dhe përse kërcënohet siguria e ShBA-së? Kohët e fundit, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë ka publikuar librin e bardhë për kompanitë amerikane në Kinë, sipas të cilit dy të tretat e këtyre kompanive janë shprehur që do të shtojnë investimet në tregun kinez. A ka mundësi që ndërmarrjet amerikane të bëjnë investime në një treg që kërcënon vendin e tyre?

Në fakt, publiku e ka vënë re që ShBA-ja prej kohësh ka shprehur mbështetje për radikalët antikinezë dhe ka përbaltur me të gjitha forcat Kinën. Ky është një kërcënim serioz ndaj sovranitetit, sigurisë dhe zhvillimit të Kinës.

Gjatë vitit të fundit, qeveria qendrore kineze ka zbatuar ligjin e sigurisë kombëtare në Hong-Kong dhe ka përmirësuar sistemin zgjedhor në këtë rajon, duke mbrojtur sigurinë kombëtare të Kinës. Në Hong-Kong është rikthyer stabiliteti shoqëror dhe janë garantuar të drejtat e ndryshme të qytetarëve. Tani në Hong-Kong po shfaqet një gjendje e re pozitive.

Një vit më parë, kur ShBA-ja deklaroi që do të ushtronte sanksione ndaj Hong-Kongut, theksoi me arrogancë që investimet ndërkombëtare do të tërhiqeshin në përmasa të mëdha jashtë Hong-Kongut. Por rezultati është që gjatë kësaj periudhe, falë zbatimit të ligjit të sigurisë kombëtare, aftësia e Hong-Kongut në tërheqjen e investimeve është forcuar pandërprerë. Të dhënat tregojnë që vitin e kaluar, niveli i investimeve që hynë në Hong-Kong ishte 50 miliardë dollarë amerikanë dhe Bursa e Hong-Kongut u rendit në vendin e dytë të botës për sa u përket ofertave publike fillestare (IPO). Në tremujorin e parë të këtij viti, prodhimi i brendshëm bruto i Hong-Kongut shënoi rritje me 7.9 %. Në raportin e FMN-së është ripohuar statusi i rajonit si qendër financiare ndërkombëtare.