
Foto nga VCG
Dy dozat e vaksinës "CoronaVac" të prodhuara nga kompania farmaceutike kineze "Sinovac" ofrojnë 83.5 për qind mbrojtje kundër rasteve simptomatike të COVID-19, sipas një studimi të ri të botuar në revistën mjekësore "The Lancet" të enjten.
Një provë e fazës së tretë e vaksinës së çaktivizuar, me më shumë se 10 000 pjesëmarrës të moshës 18-59 vjeç të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme, u krye në Turqi midis shtatorit 2020 dhe janarit 2021. Pjesëmarrësit bënë dy doza të "CoronaVac"-ut me diferencë 14 ditë.
Të dhënat e ndërmjetme nga prova sugjerojnë që vaksina është e sigurt dhe sjell një përgjigje të fortë imune.
Shumica e efekteve anësore të raportuara (90 për qind) ishin të lehta, duke përfshirë lodhjen, dhimbjen në vendin e injeksionit dhe dhimbje muskulore, që ndodhin brenda shtatë ditëve të një injeksioni. Asnjë efekt i rëndë anësor nuk u regjistrua gjatë periudhës së studimit.
Vaksina, e cila mund të ruhet dhe transportohet në 2-8 gradë celsius, është miratuar për përdorim emergjent në më shumë se 20 vende dhe ka qenë në provat e fazës së tretë që nga mesi i vitit 2020 në Brazil, Indonezi, Kili dhe Turqi. Ajo është miratuar gjithashtu për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 1 qershor, që do të thotë se plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit. (Artan/Fani)







