
Foto nga VCG
Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit të vitit 2022 ("Pekin 2022") dorëzoi zyrtarisht të dielën në Shërbimet e Transmetimeve Olimpike projektin e tij të Qendrës Ndërkombëtare të Transmetimeve, si pjesë e Qendrës Kryesore Mediatike. Kjo përbën një moment të rëndësishëm në përgatitjet e "Pekin 2022" për shërbimet e transmetimit të Lojërave.
Qendra Kryesore e Medieve, në pjesën jugore të Qendrës Kombëtare të Konferencave të Kinës në Pekin, është një integrim i Qendrës Kryesore të Shtypit dhe Qendrës Ndërkombëtare të Transmetimeve.
Sipas Xu Jicheng, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Funksionimit të Mediave në Komitetin Organizator të "Pekin 2022", rreth 15 000 gazetarë të regjistruar dhe 12 000 punonjës transmetimi do të marrin pjesë në Lojëra, e më shumë se katër miliardë shikues do t'i ndjekin ato në televizion.
Kryezyrtari ekzekutiv i Shërbimeve të Transmetimeve Olimpike, Yiannis Exarchos, e vlerësoi projektin, duke i përshkruar cilësinë dhe modelin e Qendrës Kombëtare të Konferencave si "të shkëlqyeshëm" dhe duke shtuar se përfundimi i këtij projekti shënon fillimin e funksionimit të Shërbimeve të Transmetimeve Olimpike në Pekin.
Duke qenë projekti i fundit në Zonën e Konkurrimit në Pekin dhe më i madhi në shkallë, Qendra Kryesore Mediatike u përfundua në kohë, me gjithë sfidat nga epidemia e COVID-19.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Komitetit Organizator të "Pekin 2022" Xu Zhijun tha se integrimi i i Qendrës Kryesore të Shtypit dhe Qendrës Ndërkombëtare të Transmetimeve është një shembull i shkëlqyeshëm i përfshirjes së "Pekin 2022" në Normën e Re Olimpike, duke shtuar se kjo do të ndihmojë në uljen e kostos, kursimin e hapësirës dhe përmirësimin e efektshmërisë. (Artan/Fani)







