[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Xu Yuanchong, mjeshtri më i njohur kinez i përkthimit, u nda nga jeta të enjten në Pekin në moshën 100 vjeç, sipas Universitetit të Pekinit.

Xu, fitues i çmimit më të lartë të nderit në fushën e përkthimit në Kinë, është më i njohur për përkthimin e poezive të lashta kineze në anglishte dhe frëngjishte, duke u vlerësuar në mbarë botën.

Xu iu përkushtua përkthimit për më shumë se 60 vjet. Për të, letërsia e përkthyer ishte "një art i bukur për tërë botën".

Xu Yuanchong-u studioi në Universitetin Kombëtar të Asociuar Jugperëndimor në Kunming të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Në vitin 1939, ai botoi një përkthim në gjuhën angleze të një poezie të shkruar nga poetja dhe arkitektja kinez Lin Huiyin, me titull "Mos e flak", që njihet edhe si përkthimi i tij më i hershëm.

Xu kaloi disa vjet në Francë duke studiuar letërsi franceze në fund të viteve '40 të shekullit të kaluar. Pas diplomimit ai u kthye në Kinë dhe që nga ajo kohë iu përkushtua përkthimit. Xu ishte i pari kinez që përktheu poezi kineze në anglishte dhe frëngjishte me rimë.

Xu paraqiti "Teorinë e Tri Bukurive" për sa i përket përkthimit, duke theksuar rëndësinë e bukurisë që përcillet semantikisht, fonologjikisht dhe logjikisht.

Ai dha mësim në Universitetin e Pekinit nga viti 1983 dhe u vlerësua me çmimin "Arritjet e jetës në përkthim" nga Shoqata Kombëtare për Studimet e Përkthimit më 2010. Xu ishte gjithashtu përkthyesi i parë aziatik që fitoi Çmimin "Aurora Borealis" për Përkthimin e Shquar të Letërsisë Artistike, një nga nderimet më të larta për përkthyesit ndërkombëtarë.(Vera/Artan)