
Zhao Lijiang
Në orën 9 e 22 minuta të së enjtes, Kina lëshoi me sukses anijen kozmike "Shenzhou-12", që do të lidhet me modulin kryesor të stacionit hapësinor kinez "Tianhe" , duke filluar epokën e vendosjes së përhershme të astronautëve kinezë në hapësirën kozmike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijiang u shpreh po atë ditë në një konferencë të rregullt shtypi se çdo hap i zhvillimit të projektit të fluturimeve hapësinore me astronautë ofron mençurinë e forcën e Kinës për shfrytëzimin paqësor të hapësirës prej njerëzimit. Ai shprehu shpresën se në të ardhmen, astronautët kinezë dhe të huaj do të vizitojnë së bashku stacionin hapësinor.

Astronautët kinezë
Astronautët kinezë Nie Haisheng, Liu Boming dhe Yang Hongbo do të qëndrojnë tre muaj në modulin kryesor dhe do të zhvillojnë aktivitete e operacione jashtë modulit, mirëmbajtje në orbitë, eksperimente të shkencës hapësinore dhe eksperimente teknike etj.
Zhao u shpreh se gjatë 18 vjetëve, që nga misioni i parë i fluturimit me astronaut "Shenzhou-5" më 2003, projekti i fluturimeve hapësinore me astronautë i Kinës ka arritur nga qëndrimi i një astronauti për një ditë në hapësirë në disa austronautë për shumë ditë, nga punët brenda modulit në ecjen në hapësirën kozmike dhe nga qëndrimi afatshkurtër në atë afatgjatë. Çdo hap i zhvillimit ka ardhur nga vendosmëria e astronautëve, duke ofruar mençurinë e forcën e Kinës për shfrytëzimin paqësor të hapësirës. Ai theksoi se eksplorimi i gjithësisë është ëndrra e mbarë njerëzimit.

Shenzhou-12
"Qeveria kineze ka qenë gjithmonë e përkushtuar për shfrytëzimin paqësor të hapësirës, mbi bazën e parimit të barazisë, leverdisë reciproke dhe zhvillimit të përbashkët. Kina zhvillon bashkëpunim e shkëmbime lidhur me hapësirën ajrore me vende të ndryshme. Për sa i përket stacionit hapësinor, Kina do të vijojë të thellojë e zgjerojë bashkëpunimin e shkëmbimet ndërkombëtare dhe stacioni hapësinor kinez do të bëhet një laborator hapësinor me përfitime për gjithë njerëzimin," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijiang. (Çang Çuo)







