
Astronautët (Foto: Visual People)
Kina do të nisë anijen e saj kozmike "Shenzhou-12", me astronautët Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, në orën 9:22 të enjten në mëngjes, njoftoi të mërkurën Zyra e Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës.
Nie Haisheng do të shërbejë si komandant i ekuipazhit të fluturimit.
Ky do të jetë misioni i parë me astronautë gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor të Kinës.
"Shenzhou-12" do të kryejë detyra të shumta, duke përfshirë kontrollin e teknologjisë në fusha të tilla si qëndrimi afatgjatë i astronautëve në orbitë, rifurnizimi hapësinor, aktivitetet dhe operacionet jashtë anijes kozmike dhe mirëmbajtja në orbitë.
Gjatë misionit gjithashtu do të testohet për herë të parë kërkimi dhe shpëtimi i astronautëve në vendin e uljes "Dongfeng", do të kryhen aplikime dhe eksperimentime hapësinore shumëdisiplinore dhe do të vlerësohet në mënyrë të gjithanshme funksionimi i secilit sistem që kryen misionin, për shqyrtimin e mëtejshëm të përshtatshmërisë dhe bashkërendimit të tyre.
Sipas planit, anija kozmike "Shenzhou-12", pas futjes në orbitë, do të zhvillojë takimin dhe bashkimin në mënyrë të shpejtë automatike në portën e përparme të modulit kryesor "Tianhe", për të formuar një kompleks me modulin kryesor dhe anijen e mallrave "Tianzhou-2".
Astronautët pastaj do të futen në modulin kryesor dhe do të fillojnë të punojnë e jetojnë me një rregullim të sinkronizuar të punës dhe pushimit midis hapësirës dhe Tokës. Pasi të qëndrojnë për tre muaj në orbitë, ata do të kthehen në vendin e uljes "Dongfeng" me kapsulën e rikthimit.
Aktualisht, kompleksi i modulit kryesor "Tianhe" dhe anijes kozmike të mallrave "Tianzhou-2" është në gjendje të qëndrueshme. Të gjitha pajisjet e tij punojnë normalisht dhe janë të gatshme për pritjen e astronautëve.
Kina ka planifikuar 11 misione për ndërtimin e stacionit të vet hapësinor deri në fund të vitit 2022, përkatësisht tre lëshime të moduleve të stacionit hapësinor, katër fluturime të anijeve të mallrave dhe katër misione me astronautë. (Çang Çuo)







