
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha të martën se niveli i rrezatimit në mjedisin përreth centralit bërthamor të Taishan-it nuk është jonormal dhe se siguria e këtij centrali është e garantuar.
Situata e tanishme e centralit plotëson kërkesat e veçanta teknike, tha ai, duke shtuar se centralet bërthamore të Kinës kanë një histori të mirë funksionimi deri tani, pa asnjë incident që ndikon mbi mjedisin a shëndetin publik.
Të hënën, CNN-i raportoi se qeveria e ShBA-së kishte shqyrtuar gjatë gjithës javës së kaluar "një raport të një rrjedhjeje në centralin bërthamor të Taishan-it, pasi kompania franceze që zotëron pakicën e aksioneve të objektit, 'Framatome', paralajmëroi për një 'kërcënim të menjëhershëm radiologjik.'"
Sipas CNN-it, "zyrtarët e ShBA-së kanë vlerësuar se situata nuk përbën një kërcënim të rëndë për sigurinë e punonjësve në këtë central ose për publikun kinez."

Ky central, që gjendet në provincën Guangdong të Kinës, operohet bashkërisht nga Korporata e Përgjithshme e Energjisë Bërthamore e Kinës (CGN), e cila zotëron 70 % të ndërmarrjes së përbashkët, dhe "Framatome", që ka 30 %.
Para këtij raporti, CGN-ja tha në një deklaratë mbrëmjen e së dielës se "treguesit mjedisorë të centralit bërthamor të Taishan-it dhe mjedisit përreth janë normalë."
Të dielën, edhe "Framatome" u shpreh në një deklaratë të publikuar në uebsajtin zyrtar të tij se "sipas të dhënave, centrali po funksionon brenda parametrave të sigurisë."(Xu Guang)







