
Gjatë pushimeve të Festës së Varkës së Dragoit, Kina ka nisur raundin e ri të nxitjes së konsumit. Gjatë festës, konsumi ka shënuar rritje të madhe në turizëm dhe tregun kinematografik. Analistët kanë vënë në dukje që, me normalizimin e kontrollit të epidemisë dhe mëkëmbjen e vazhdueshme të ekonomisë, parashikohet që tregu të gjallërohet më shpejt dhe do të jetë garanci e fuqishme për shtimin e konsumit dhe kërkesës së brendshme.
Banorët në Kinë kanë treguar një entuziazëm të madh për turizëm gjatë festës. Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kinës, gjatë pushimeve të festës numri i turistëve në mbarë vendin arriti 89.13 milionë, 94.1 % më shumë se një vit më parë, duke përbërë 98.7% të nivelit para epidemisë. Të ardhurat turistike shënuan vlerën 29.43 miliardë juanë, 139.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme, sa 74.8 % e nivelit para epidemisë.

Turizmi me elemente kulturore të festës, si turizmi mbi bazën e kulturës vendore, turizmi tematik dhe ai sipas kërkesave individuale, është bërë një prirje e re. Krahas kësaj, edhe vendet historike e muzetë kanë qenë shumë të parapëlqyera nga të rinjtë.
Edhe tregu kinematografik ka shënuar rritje të dukshme. Të dhënat tregojnë që, gjatë pushimeve 3-ditore, të ardhurat e shitjes së biletave kanë qenë 450 milionë juanë. 12 qershori shënoi rekordin e shitjes ditore të biletave gjatë periudhës së Festës së Varkës së Dragoit me 437 mijë shfaqje filmash në kinematë e mbarë vendit.

Krahas këtyre, edhe ushqimi tradicional i festës, zongzi, është pasuruar me elemente kulturore. Përveç shijeve të reja, kutitë e këtij ushqimi janë kthyer në një miniskenë të teatrit me hije kukullash, një formë tradicionale e artit kinez. Kështu, shitja e zongzi-ve është rritur mbi 40 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.(Jiang Lei)







