
foto nga VCG
Gazeta amerikane "New York Times" njoftoi të hënën se studiuesja nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it në varësi të Akademisë Kineze të Shkencave, Shi Zhengli, tha në një intervistë për këtë gazetë se e ashtuquajtura “dalje e virusit nga laboratori i Wuhan-it” është krejtësisht e pabazë.
Lidhur me raportet që citonin shërbimet amerikane të zbulimit se tre punojës të Institutit të Virologjisë të Wuhan-it kishin simptoma të ngjashme me ato të COVID-19 në nëntor të vitit 2019, dhe u mjekuan në spital, Shi Zhengli u përgjigj se nuk ka ndodhur një gjë të tillë, duke shtuar: “Nëse është e mundur, a mund të na jepni emrat e këtyre tre personave për të na ndihmuar të hetojmë?”
Shi Zhengli tha se eksperimentet e saj janë të ndryshme nga studimet për të ashtuquajturin "fitim të funksionit", sepse qëllimi i saj nuk është ta bëjë virusin më të rrezikshëm, por të kuptojë se si përhapet virusi nëpër llojet e ndryshme të gjallesave.
"Laboratori im kurrë nuk ka kryer ose bashkëpunuar në eksperimente të 'fitimit të funksionit' për të rritur toksicitetin e virusit," theksoi ajo.

foto nga VCG
Dy javë më parë, kur një reporter nga gazeta “New York Times” kontaktoi me studiuesen Shi Zhengli, ajo u përgjigj: "Si mund të siguroj unë prova për gjëra pa prova? Nuk e di se si u bë bota kështu, duke vazhduar të përbaltë një shkencëtare të pafajshme.”
Kjo intervistë me Shi Zhengli-në ka tërhequr vëmendjen e medieve të tjera. Agjencia AFP, gazeta britanike “The Guardian”, uebsajti rus “Sputnik”, gazeta e Singaporit “Zaobao” dhe media të tjera e kanë cituar këtë raport, duke vënë në dukje se Shi Zhengli e kritikoi teorinë e daljes së koronavirusit nga laboratori i Wuhan-it.
Sipas “New York Times"-it, Shi Zhengli drejtoi një ekspeditë në shpella, duke mbledhur jashtëqitjet e lakuriqëve të natës dhe të zogjve për të kuptuar se si transmetohen viruset nga kafshët te njerëzit. Në vitin 2019, për shkak të kontributit të saj në këtë fushë, ajo u bë një nga 109 shkencëtarët e Shoqërisë Amerikane për Mikrobiologjinë.
Dr. Robert C. Gallo, drejtori i Institutit të Virologjisë Humane në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Merilandit, u shpreh: “Ajo (Shi Zhengli) është një shkencëtare e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht e kujdesshme dhe me një etikë të rreptë profesionale.” (Fang Xiaoyu)







