Një ekspert i Institutit të Virologjisë të Wuhan-it pranë Akademisë së Shkencave të Kinës tha ditët e fundit se e ashtuquajtura "dalje e virusit nga laboratori i Wuhan-it" është krejtësisht një gënjeshtër e pabazë dhe se njoftimi i disa mediave të huaja për "infektimin e tre punonjësve të këtij instituti" është lajm krejtësisht i rremë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin/ foto nga MPJ
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbinu shpreh të enjten në konferencën e rregullt të shtypit se veprimi i një pjese politikanësh dhe mediash amerikane që bëjnë për zhurmë se "virusi doli nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it", të sjell ndër mend historinë e para 20 vjetëve, kur ShBA-ja trumbetoi me forcë para botës që "Iraku zotëron armë të shfarosjes në masë" për të sheshuar rrugën për shpërthimin e luftës në Irak. "Të dy metodat janë tërësisht të njëjta," theksoi Wang Wenbin.
"Njerëzit nuk mund të mos pyesin se ShBA-ja, që fabrikoi para 20 vjetëve gënjeshtrën mbi kërcënimin e armëve të shfarosjes në masë nga Iraku për të shpërthyer luftën kundër këtij vendi, që të realizonte qëllimet gjeopolitike, çfarë qëllimi ka kësaj here që nxit hetimin ndaj Kinës për 'teorinë e daljes së virusit nga laboratori'? Nëse pala amerikane me të vërtetë ka qëllim që të gjejë burimin e koronavirusit të ri, pse nuk mbështetet te shkencëtarët, por te shërbimet e fshehta? Nëse pala amerikane synon gjetjen e origjinës së virusit, pse ajo kërkon që të nxirret përfundimi brenda 90 ditëve? Nëse pala amerikane i kushton rëndësi tejdukshmërisë, a mund t'i ftojë ekspertët e OBSh-së të vizitojnë bazën e saj biologjike 'Fort Detrick'?" tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.
Wang vuri në dukje gjithashtu se politizimi i gjurmimit të origjinës së virusit u shërben vetëm interesave vetjakë të ShBA-së, ndërsa dëmton interesin e përgjithshëm ndërkombëtar e shëndetin dhe jetën e njerëzve. Bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojë vigjilencë dhe ta kundërshtojë këtë veprim të palës amerikane, shtoi ai. (Wang Lei/ Artan)







