
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha në një konferencë shtypi të enjten se operacioni “Chun Miao” (Farërat e pranverës), i cili synon vaksinimin e shtetasve kinezë jashtë vendit, është vlerësuar lart nga bashkatdhetarët kinezë që gjenden jashtë. Aktualisht, mbi 1.18 milion kinezë në mbi 150 vende të huaja janë vaksinuar me vaksinën kineze.
"Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, qeveria kineze i ka kushtuar rëndësi të madhe sigurisë së jetës dhe shëndetit të çdo shtetasi kinez jashtë vendit. Më 7 mars, kryediplomati kinez dhe këshilltari i Shtetit Wang Yi shpalli operacionin 'Chun Miao' në një konferencë shtypi të 'dy sesioneve' të vitit 2021. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat e konsullatat e Kinës në vende të ndryshme kanë ndërmarrë veprime aktive në ndihmë të vaksinimit të bashkatdhetarëve. Deri tani më shumë se 1.18 milion shtetas kinezë në mbi 150 vende kanë bërë vaksinën për COVID-19. Në fazën e ardhshme ne do të vijojmë të forcojmë bashkëpunimin e bashkërendimin me vendet përkatëse, me kusht paraprak respektimin e ligjit e të rregullave të vendeve përkatëse dhe vullnetit të vetë shtetasve, do të ofrojmë ndihmë për vaksinimin e më shumë shtetasve kinezë që jetojnë jashtë, dhe do të mbrojmë siç duhet shëndetin dhe sigurinë e tyre," u tha Wang Wenbin gazetarëve.

Ai gjithashtu deklaroi se qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe ruajtjes dhe mbrojtjes së sigurisë së jetës dhe shëndetit të shtetasve të huaj në Kinë, dhe e ka përfshirë grup-moshën e duhur të të huajve në Kinë në sferën e vaksinimit të brendshëm. Deri më tani, më shumë se 200 000 të huaj në Kinë janë vaksinuar kundër koronavirusit të ri.







