Foto nga VCG

Duket se disa zyrtarë amerikanë gjejnë kënaqësi duke nxjerrë një përfundim dhe duke gjetur pastaj dëshmi për këtë përfundim lidhur me gjurmimin e origjinës së COVID-19.

Vitin e kaluar, disa politikanë amerikanë u shprehën se "shumë dëshmi" tregojnë se koronavirusi i tipit të ri doli nga një laborator kinez. Por pretendimi i tyre nuk u pranua nga shkencëtarët ndërkombëtarë dhe shpejt u shua. Tani disa zyrtarë e media amerikanë përpiqen të rigjallërojnë "teorinë e daljes nga laboratori".

Për të përhapur virusin politik, ata hamendësojnë se Kina është fajtorja për daljen e virusit, po kjo është e lehtë të hidhet poshtë prej fakteve. Pavarësisht se sa e maskuar, kjo teori zbulon orvatjen e SHBA-së për të shpifur ndaj Kinës nëpërmjet pandemisë.

Në fakt "teoria e daljes nga laboratori" është e pabazë. Kur filluan të përhapin këtë teori qesharake vitin e kaluar, disa zyrtarë amerikanë cituan si "dëshmi" një raport nga Zyra e Mjedisit të Bashkëpunimit të Shumë Agjencive të Korporatës "Sierra Nevada", një kontraktor kryesor i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së.

Ky raport u përpoq të nxjerrë përfundim nga mungesa e të dhënave të vendndodhjes të shtatë celularëve, duke u shpotitur nga ekspertët e analizës së të dhënave dhe duke u cilësuar si një shembull tipik negativ në analizimin e informacionit.

Jeffrey Lewis, drejtori i Programit të Mospërhapjes në Azinë Lindore pranë Qendrës Studimore të Mospërhapjes "James Martin", u shpreh se ky raport është mbushur me krahasime pa lidhje dhe supozime me motive të fshehta.

Ndërsa Olivia Troye, që shërbeu në grupin e posaçëm të punës mbi koronavirusin në administratën e Trump-it, shkroi në "Bulwark", një uebsajt amerikan lajmesh: "Në vend që të përdornin inteligjencën për të informuar mbi reagimin e qeverisë ndaj pandemisë, administrata e Trump-it u përpoq të shtrembërojë faktet për qëllime politike. Gjatë tërë pandemisë, instinkti i parë dhe më i fortë i administratës së Trump-it ishte kërkimi i një dashi kurbani dhe jo hartimi i masave të përballimit."

Nuk ka dëshmi të qartë që virusi i COVID-19 vjen nga laboratori dhe politizimi i gjurmimit të origjinës së tij për interesa personale nuk do të sjellë ndonjë të mirë, sipas Dominic Dwyer-it, anëtar i grupit të ekspertëve të OBSh-së për hetimin e origjinës së COVID-19 në Kinë.

Duke u nisur nga motivet e fshehta politike, një pjesë politikanësh dhe mediash amerikane i kanë shpërfillur shkencën e faktet dhe janë fiksuar pas fabrikimit dhe përhapjes së gënjeshtrave që koronavirusi i ri buroi nga një laborator kinez.

Kur fabrikoi "teorinë e daljes nga laboratori" vitin e kaluar, ShBA-ja ishte duke vuajtur seriozisht nga epidemia dhe kjo gjendje nuk është përmirësuar edhe sot. Në këtë vend janë raportuar mbi 33 milionë raste të konfirmuara dhe afro 600 mijë të vdekur, shifra këto që zënë përkatësisht 20 për qind dhe 17 për qind të mbarë botës.

Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve e ShBA-së vlerëson se një e treta e amerikanëve janë infektuar nga koronavirusi i ri, sipas njoftimit të mediave amerikane.

Përgjigjja e paaftë përballë epidemisë nga ShBA-ja, ekonomia nr. 1 në botë me burimet më të përparuara mjekësore, demaskoi një sërë problemesh të rrënjosura thellë në shoqërinë amerikane, përfshirë padrejtësinë raciale, hendekun gjithnjë e më të madh midis të pasurve e të varfërve, përqindjen e lartë të krimeve të dhunshme dhe dështimin e qeverisjes. Të gjitha këto kanë goditur rëndë imazhin e ShBA-së si "fanar i demokracisë".

Është e dukshme se, me stigmatizimin e Kinës, një pjesë politikanësh amerikanë orvaten ta devijojnë vëmendjen e popullit nga përpjekjet e tyre të pakta kundër epidemisë dhe të shmangin përgjegjësinë për gjurmimin e origjinës së virusit, që t'u shërbejnë synimeve politike brenda e jashtë vendit.

Kina ka mbajtur një qëndrim të hapur, transparent e të përgjegjshëm për gjurmimin e origjinës së virusit. Sipas një raporti të publikuar më 30 mars nga OBSh-ja në bazë të studimit të përbashkët OBSh-Kinë për origjinën e COVID-19, gjasat që koronavirusi i ri të ketë dalë nga laboratori janë "jashtëzakonisht të vogla" . Konkluzioni i bazuar në shkencë nuk do të ndryshojë kurrë nga gënjeshtrat flagrante.

Disa zyrtarë amerikanë duhet të ndalojnë trukun e "prezumimit të fajit" dhe fajësimin e Kinës për paaftësinë e tyre, të nxjerrin mësime, të reflektojnë për zgjedhjet e tyre dhe të bëjnë diçka kuptimplotë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të popullit amerikan dhe për sigurinë e shëndetit publik global.

(Zhong Sheng është një pseudonim që përdoret shpesh prej gazetës kineze "Renmin Ribao" për shprehjen e pikëpamjeve të saj mbi politikën e jashtme) (Fani/Shpresa/Artan)