Foto nga VCG

Ditët e fundit media daneze njoftoi se, duke përdorur marrëdhëniet e bashkëpunimit me shërbimin informativ të Danimarkës, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së (NSA) ka përgjuar udhëheqësit e zyrtarët e lartë të vendeve aleate europiane, duke përfshirën kancelaren gjermane Angela Merkel. Njoftimi ka ngjallur jehonë të madhe në Europë.

Analistët vunë në dukje se zbulimi herë pas here i skandaleve të përgjimit të aleatëve europianë nga ShBA-ja ka goditur rëndë marrëdhëniet transatlantike. Si pasojë, është dobësuar besimi i ndërsjellë dhe është thelluar më tej çarja mes dy palëve.

Danimarka zë një pozicion të rëndësishëm gjeografik në Europën Veriore dhe brenda territorit të saj janë ndërtuar shumë stacione kyçe të kabllove nëndetare që lidhin Holandën, Britaninë, Norvegjinë, Suedinë e Gjermaninë.

Në një hetim sekret mbi punën e Shërbimit Informativ të Mbrojtjes të Danimarkës nga viti 2012 deri në vitin 2014, Korporata Daneze e Transmetimeve, e njohur edhe si "Danmarks Radio", zbuloi "rezultate të mahnitshme". Ky hetim i brendshëm, i titulluar "Operacioni Dunhammer", përfundoi në vitin 2015 dhe arriti në përfundimin se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së hyri në internetin danez për të marrë të dhëna, me qëllim që të përgjojë zyrtarët e lartë të vendeve përkatëse, duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin e tanishëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, si dhe udhëheqësit e Francës, Suedisë, Norvegjisë etj.

Foto nga VCG

Siç bëhet e ditur, sfera e mbikëqyrjes së aleatëve nga ShBA-ja është shumë e gjerë. Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së përgjon jo vetëm mesazhet në celular dhe përmbajtjen e telefonit, po edhe kërkimet e informacionit dhe bisedat në internet.

Vitet e fundit, fytyra e vërtetë si "perandoria e përgjimit" e ShBA-së është zbuluar më tej. Në gusht të vitit 2020, media daneze njoftoi se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së mund të marrë lirisht të dhënat e papërpunuara në internet, duke përfshirë informacionet personale të shtetasve danezë. Në nëntor, media daneze njoftoi se ShBA-ja zhvilloi spiunazh mbi qeverinë daneze dhe sektorin e mbrojtjes të Danimarkës, si edhe kompani të tjera europiane të mbrojtjes, për të marrë informacionet përkatëse të blerjes së aeroplanëve luftarakë të vendeve përkatëse. (Fani/Artan)