Ditët e fundit, një artikull i publikuar në “New York Times” nga kolumnisti dhe gazetari i njohur amerikan Thomas Friedman me titullin “Kina nuk na respekton më – dhe me plot të drejtë ”, ka ngjallur debate të nxehta, duke marrë mijëra komente të përdoruesve amerikanë të internetit.

Sipas artikullit, arsyet pse ShBA-ja nuk mund të flasë me Kinën nga pozicioni i të fortit janë: ish-presidenti nxiti ndjekësit e tij të sulmonin “Capitol Hill”; shumica e republikanëve nuk pranuan rezultatet zgjedhore; një kongresmen mendon se ishte lazeri i hebrenjve që shkaktoi zjarret në pyje; një grup anarkistësh u lejuan të merrnin në kontroll një pjesë të qendrës së qytetit Portland; gjatë pandemisë Kina nxori në qarkullim monedha për të investuar në infrastrukturë, por ShBA-ja e bëri këtë për të nxitur konsumin; dhuna me armë zjarri është jashtë kontrollit në ShBA. Ndërkohë, Kina fokusohet te treguesit e sukseseve reale, sidomos arritjet në punësim, strehim dhe cilësinë e ajrit.

Ky artikull pati mbi 2 000 komente në uebsajtin e “New York Times”-it.

Në komentin më të rekomanduar prej lexuesve, shkruhet kështu:

“Pse duhet t’i respektojë Kina Shtetet e Bashkuara? Kur gjysma e vendit mendon se shkenca është një teori konspirative, ky është një tregues i mirë që qytetarët e tij nuk janë njerëzit më të mprehtë që mund të ekzistojnë. Amerika nuk duhet të shqetësohet për Kinën; por për veten e vet, dhe kurrë të mos mendojë ose shqiptojë parullën boshe të tmerrshme ‘Ne jemi nr. 1!’ .”

Kurse në komentin që radhitet në vend të dytë për nga rekomandimet vihet në dukje:

“E pse duhet të na respektojnë?

Kur kinezët bëjnë planin e ardhshëm pesëvjeçar, ne jemi të zënë me luftën mes dy partive. Një projektligj shpëtimi lidhur me COVID-in prej 1.9 trilionë dollarësh mbeti i mbërthyer në Kongres për disa muaj, prapë pa arritur konsensus dypartiak në fund.

Kur kinezëve iu desh vetëm një javë për ndërtimin e dy spitaleve COVID-19, amerikanët ende po diskutojnë nëse maskat dhe injektimi i zbardhuesve janë efektivë.

Kur kinezët nënshkruan marrëveshjen më të madhe ekonomike dhe tregtare në botë, RCEP, dhe Marrëveshjen e Investimeve Tregtare Kinë-BE, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Partneriteti i Trans-Paqësorit.

Nuk ka dyshim se shekulli i 21-të është shekulli i kinezëve.”

Disa të tjerë janë të mendimit se dobësimi i ShBA-së dhe fuqizimi i Kinës është një prirje historike dhe ShBA-ja duhet ta pranojë këtë. “Pozicioni mbizotërues i ShBA-së në disa dekadat e kaluara ka ardhur falë luftërave në Europë dhe nivelit të ulët të zhvillimit në Azi. Por kjo është e përkohshme,” shkruan një tjetër përdorues i internetit.