"Ne mund të eksportojmë produkte bujqësore në Kinë dhe të transportojmë lëndët e para të importuara nga Kina në qytetet pranë", tha kryebashkiaku i qytetit spanjoll të Vajadolidit Oscar Puente në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Xinhua”. Në saje të trenave të mallrave midis Kinës dhe Europës, ky qytet i lashtë gjendet përpara rasteve të mëdha të zhvillimit.

Vjet, numri i trenave të mallrave midis Kinës dhe Europës i kaloi 12 mijët, 50 % më shumë në krahasim me vitin 2019. Ndërsa sipas të dhënave statistikore të publikuara ditët e fundit nga “Eurostat”-i, vitin e kaluar Kina u bë për herë të parë partnerja më e madhe tregtare e BE-së, duke zëvendësuar ShBA-në. Gjithashtu, ndër dhjetë partnerët kryesorë tregtarë të Unionit, Kina është e vetmja me rritje të dyanshme, si të importit, ashtu edhe të eksportit.

Në vitin 2020 BE-ja importoi mallra me vlerë 383.5 miliardë euro nga Kina dhe eksportoi 202.5 miliardë euro mallra në Kinë, përkatësisht 5.6% dhe 2.2% më shumë se në vitin 2019. Mediat gjermane njoftuan se BE-ja importoi kryesisht mobilieri, materiale mjekësore, pajisje elektronike, tekstile, lodra, biçkleta etj., ndërsa eksportoi në Kinë pajisje mekanike dhe elektrike, mjete transporti dhe produkte të kimisë industriale.

Lidhur me këtë Grupi Mediatik i Kinës publikoi një koment, ku thuhet se rritja e ndjeshme e kërkesës për materiale antiepidemike dhe produkte elektronike, ka nxitur eksportet e Kinës në këta sektorë, kurse vënia e shpejtë nën kontroll e epidemisë dhe rifillimi i prodhimit në Kinë ka shpejtuar rigjallërimin e konsumit të brendshëm, duke favorizuar importimin e mallrave europiane.

Pa dyshim, këto rezultate janë të lidhura me përpjekjet dypalëshe në fushën e politikave tregtare. Vjet Kina mori një sërë masash për të stabilizuar tregtinë e jashtme, duke shpallur politika për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit e për të ulur kostot e ndërmarrjeve, në të mirë të garantimit të zinxhirëve globalë të industrisë e furnizimit. Në gjashtëmujorin e dytë, dy palët firmosën “Marrëveshjen e treguesve gjeografikë” dhe deklaruan përfundimin e negociatave për marrëveshjen e investimeve, gjë që pritet t’i sjellë më shumë përfitime zhvillimit të ndërsjellë.

Sipas komentit të CMG-së, në disa dekadat e kaluara marrëdhëniet ekonomiko-tregtare kino-europiane kanë pasur përparim të qëndrueshëm. Deri në fund të vitit 2019, BE-ja për 16 vjet radhazi ishte partnerja më e madhe tregtare e Kinës, kurse Kina për 15 vjet në radhë partnerja e dytë më e madhe e BE-së.

"Lulëzimi ekonomiko-tregtar Kinë-BE ka vërtetuar plotësisht që, në kushtet e globalizimit ekonomik, vetëm bashkëpunimi gjithëpërfshirës me përfitime të ndërsjella është rruga e duhur. Kina po përshpejton krijimin e strukturës së re të zhvillimit, duke synuar zhvillimin më cilësor. Kjo patjetër do t'u sjellë ndërmarrjeve europiane më shumë mundësi. Si dy tregje të mëdha, thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis Kinës e BE-së do të japë kontribut për ndërtimin e një ekonomie të hapur globale", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Artan)