Xinjiang, banorë të grupeve të kombësive të ndryshme

Xinjiang, banorë të grupeve të kombësive të ndryshme

Zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying shprehu kundërshtim të fortë ndaj disa politikanëve, mediave dhe studiuesve perëndimorë për fabrikimin e lajmeve rreth të ashtuquajturve "gjenocid" dhe "punë e detyruar" në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore.

Hua i tha këto në një konferencë shtypi kur iu kërkua të komentonte për deklaratat e disa politikanëve kanadezë, amerikanë dhe australianë mbi çështjen e Xinjiang-ut.

Duke theksuar se popullsia ujgure në Xinjiang është rritur më shumë se dy herë në katër dekadat e fundit, zëdhënësja pyeti nëse dikush ka parë ndonjë "gjenocid" të tillë.

"Ditët e fundit, disa politikanë nga Kanadaja, ShBA-ja dhe Australia kanë përhapur pandërprerë gënjeshtra për Xinjiang-un. Pavarësisht sa herë pala kineze e ka qartësuar situatën në këtë rajon në mënyra të ndryshme, ata bëjnë sikur nuk dëgjojnë," tha Hua Chunying.

Sipas saj, këta njerëz, qofshin politikanë, punonjës të medias apo studiues, nuk kanë qenë në Xinjiang, nuk e kanë parë bukurinë e këtij rajoni me sytë e tyre dhe nuk e kanë idenë për jetën harmonike dhe të lumtur të banorëve të kombësive të ndryshme aty.

"Mbi 200 milionë turistë e kanë vizituar Xinjiang-un në vitin 2019 dhe Kina mirëpret politikanët, punonjësit e medias dhe studiuesit nga Kanadaja, ShBA-ja e Australia të bëjnë një vizitë atje dhe të flasin me banorët, nëse dëshirojnë të njohin situatën e vërtetë në këtë rajon," shtoi Hua.

Por ajo theksoi se Kina kundërshton të ashtuquajturat “hetime” të bazuara mbi prezumimin e fajësisë.

Duke përmendur një sërë faktesh rreth gjenocidit ndaj banorëve rrënjës që dikur ka qenë realitet në ShBA, Australi dhe Kanada, Hua u shpreh se disa njerëzve u pëlqen të ngrenë akuza pa bazë kundër Kinës. “Ata që fabrikojnë dhe përhapin vazhdimisht gënjeshtra mbi çështjen e Xinjiang-ut, synojnë t’i përdorin ‘të drejtat e njeriut’ si pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, për të dëmtuar sigurinë e stabilitetin dhe për të penguar zhvillimin e Kinës,” vuri në dukje zëdhënësja e diplomacisë kineze.

(Zhang Yan/Artan)