Shkalla e rritjes së PBB-së së Kinës për vitin 2020 pritet të jetë 2.3 për qind falë rimëkëmbjes së mëtejshme gjatë tremujorit të 4-t, një shifër jo e përafërt me parashikimin në fillim të vitit të kaluar, por ende shumë pozitive krahasuar me pjesën tjetër të botës, njoftoi të enjten kompania bankare e investimeve “Natixis”.

Pavarësisht nga shpërthimet sporadike në disa rajone, përfshirë Pekinin, masat e qeverisë kanë "përmbajtur kryesisht dëmet nga virusi", tha në një email për CGTN-in Alicia Garcia Herrero, kryekonomistja e kësaj kompanie për Azi-Paqësorin.

Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) për sektorin e prodhimit të Kinës u ul në 51.9 në dhjetor dhe është zgjeruar për 10 muaj me radhë, gjë që konfirmon "vrullin e vazhdueshëm të ekonomisë kineze në rrugën e rimëkëmbjes", thuhet në email.

Investimi i aseteve fikse të Kinës u rrit me 2.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në 11 muajt e parë të vitit 2020. Gjithashtu, rritja e shitjeve me pakicë ishte 5 për qind më e lartë në nëntor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifër kjo mëe lartë se rritja prej 4.3 për qind e tetorit. Sa i përket tregtisë së jashtme, eksportet në dhjetor u rritën me 18.1 për qind nga e njëjta periudhë të një viti më parë dhe importet u rritën me 6.5 për qind, duke tejkaluar parashikimet e ekonomistëve.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare treguan se fitimet e ndërmarrjeve të mëdha industriale të Kinës u rritën me 2.4 për qind me bazë vjetore në 11 muajt e parë të vitit 2020, nxitur nga prodhimi dhe funksionimi i përmirësuar i kompanive.

Optimizëm pati gjithashtu në tregun e kapitalit të Kinës, pasi "indeksi CSI 300 është rritur gati 22 për qind që nga fundi i tremujorit të tretë të vitit të kaluar".(Albana)