Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se misioni i ekipit hulumtues në Kinë është gjetja e përgjigjeve shkencore mbi koronavirusin.
Shefi i Programit të Emergjencave Shëndetësore Michael Ryan tha gjithashtu se të kuptuarit e origjinës së koronavirusit të llojit të ri nuk ka të bëjë me gjetjen e dikujt për ta fajësuar.
Drejtuesja teknike e OBSh-së për COVID-19, Maria Van Kerkhove, shtoi se studimet kërkimore do të bëhen në vendin ku u identifikuan pacientët e parë.
Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë i OBSh-së do të mbërrijë në Kinë të enjten për të kryer kërkime të përbashkëta me shkencëtarë kinezë mbi koronavirusin e llojit të ri.
Pala kineze është shprehur se mbështet të gjitha vendet anëtare në zhvillimin e bashkëpunimit mbi origjinën shtazore të virusit nën udhëheqjen e OBSh-së. (Albana/Fani)