Në "Librin e Bardhë mbi Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Zhvillimit në epokën e re" me 49 faqe, botuar më 10 janar, Kina paraqet parimet e saj për zhvillimin ekonomik bashkëpunues me vendet në zhvillim, duke treguar qartë bazën konfuciane mbi të cilën janë ndërtuar ato parime. Dokumenti paraqet një përmbledhje të hollësishme të përfshirjes së Kinës në ndihmën për zhvillimin e vendeve të tjera, veçanërisht që kur presidenti Xi Jinping propozoi nismën “Një brez, një rrugë” në vitin 2013.

Kjo shënoi një fazë të re cilësore në zhvillimin politik të vetë Kinës. Ndërsa Kina ka qenë e përfshirë në zhvillimin e vendeve të botës së tretë që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, nisma “Një brez, një rrugë” ishte hapja e Kinës në arenën botërore si një fuqi dhe financuese e madhe, po ashtu dhe si një mbështetëse e zhvillimit ekonomik botëror, një zhvillim që është përshëndetur shumë nga sektori në zhvillim dhe nga vëzhguesit mirëdashës në komunitetin global.

Duke lexuar këtë dokument mund të kuptohet se vargu i projekteve të nisura gjatë shtatë viteve të fundit, është më i lartë se numri i projekteve të realizuara në 40 vitet e mëparshme. Libri i bardhë gjithashtu përshkruan punën që Kina ka bërë në farkëtimin e një modeli të ri të zhvillimit, i cili mund të përdoret nga vendet në zhvillim për të dalë nga cikli i egër i krizave që ka karakterizuar politikat e zhvillimit perëndimor që nga vitet ‘70.

Duke i hedhur një vështrim 40 viteve të fundit, mund të shihet qartë se shumë vende që nga vitet 1970 shpesh kishin arritur një nivel të caktuar begatie, papritmas u zhytën përsëri në varfëri duke përkeqësuar "kushtet e tregtisë" të cilat ishin diktuar kryesisht bankat në Londër dhe New York. Kërcënimi real i një "kurthi borxhi" nuk vjen nga Kina, e cila përqendrohet pothuajse vetëm në infrastrukturën fizike, por nga bankat perëndimore veprimet e të cilave janë gjithmonë të një karakteri mjaft spekulativ.

Kina po zbaton politikën e saj në bashkëpunim të ngushtë me vendet dhe organizatat ndërkombëtare dhe kryesisht nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, e cila ka vlerësuar shumë nismën “Një brez, një rrugë”. Ndërsa individët anti-Kinë përpiqen ende t’i portretizojnë politikat e Kinës si "ndikim-shitje", e vërteta është se metoda e Kinës për promovimin e zhvillimit funksionon, ndërsa politika tradicionale perëndimore, veçanërisht pasi Perëndimi u zhvendos nga makro në mikro- financim, kryesisht nën ndikimin e një lëvizjeje radikale të gjelbër anti-industriale të rritjes zero në vitet 1970; fatkeqësisht ka dështuar. Dhe me prishjen e marrëveshjes së Bretton Woods në vtin 1971, dollari kaloi nga një mjet pagese në një mjet spekulues të lojërave të fatit financiar në kurriz të ekonomisë reale.

Libri i bardhë mund të shihet gjithashtu si një tregues i qartë se Kina ka hyrë në komunitetin botëror si një lojtare kryesore me këndvështrimin e saj të veçantë, dhe siç tregon dokumenti, bazuar kryesisht në kulturën konfuciane të Kinës. Kina shpreson që bota do të përfitojë gjithashtu nga ky këndvështrim pasi parimet e sqaruara nga Konfuci, një nga mendimtarët e mëdhenj të botës, kanë një karakter universal. Duke pasur parasysh gjendjen e mjerë në të cilën ndodhet bota, suksesin e Kinës në luftimin e epidemisë dhe krijimin e zhvillimit më të shpejtë ekonomik të parë ndonjëherë nga një komb i vetëm, bota duhet të vëri veshin.

Vendet duhet të fillojnë të angazhohen me Kinën dhe të provojnë metodat, të cilat kanë rezultuar kaq të suksesshme për Kinën dhe për mbi 155 vendet të angazhuara në nismën “Një brez, një rrugë”. Rritja e Kinës si një fuqi e madhe është tani një fakt dhe Kina është e hapur për bashkëpunim me të gjitha vendet për të mirën e përbashkët. Përpjekja për ta mbajtur Kinën të mos luajë një rol udhëheqës në ekonominë botërore vetëm sa dëmton vetë autorët e një politike të tillë. Ndërsa Kina ka një sistem të ndryshëm nga Perëndimi - dhe një kulturë tjetër - të dyja këto kanë provuar të jenë shumë të dobishme për miliona njerëz, veçanërisht për miliona banorët kinezë që janë nxjerrë nga varfëria. (Albana/Fani)