Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian shprehu të hënën dënim dhe kundërshtim të fortë kundër lëvizjes së fundit nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në heqjen e kufizimeve për kontakt zyrtar me rajonin kinez të Tajvanit.

Në konferencën e rregullt për shtyp të hënën, Zhao tha se kjo ka shkelur seriozisht politikën e ‘Një Kine’ dhe të tre komunikatave të përbashkëta Kinë-ShBA, duke i bëri thirrje ShBA-së të ndjekë parimet dhe udhëzimet përkatëse.

Zhao vuri në dukje se në komunikatat e përbashkëta, ShBA-ja e njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës, dhe në këtë kontekst, pala amerikane është zotuar të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe të tjera jozyrtare me rajonin e Tajvanit.

Kina është vendosshmërisht e patundur në mbrojtjen e sovranitetit të vet kombëtar dhe integritetit territorial, tha Zhao, duke shtuar se vendi nuk do të lejojë kurrë askënd të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës duke përdorur çështjen e Tajvanit.

Pala kineze do të kundërshtojë çdo veprim që dëmton interesat thelbësore të Kinës, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.

Po atë ditë, zëdhënësja e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Zhu Fenglian tha se Kina do të marrë kundërmasa të forta kundër çdo bashkëpunimi midis ShBA-së dhe rajonit të Tajvanit.

Ajo tha se pala kineze ka përsëritur kundërshtimin e saj ndaj çdo kontakti zyrtar ndërmjet ShBA-së dhe rajonit të Tajvanit, duke nënvizuar se parimi i ‘Një Kine’ është themeli politik dhe premisa bazë e marrëdhënieve diplomatike Kinë-ShBA.

Përpjekjet e autoriteteve të Partisë Progresive Demokratike në Tajvan për të kërkuar të ashtuquajturën "pavarësi të Tajvanit" duke u mbështetur te forcat e ShBA-së do të sjellin vetëm fatkeqësi për banorët e Tajvanit, tha Zhu. (Albana/Fani)