Presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv, duke ndaluar transaksionet e tetë aplikacioneve kineze në tregun e vendit për shkak të "sigurisë kombëtare". Një veprim i tillë kritikohet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës si "një veprim maniak kundër ndërmarrjeve kineze para largimit nga posti".

Analistët vunë re se, pas sulmeve në “Capitol Hill”, lideri amerikan deklaroi se administrata e re do të marrë detyrën më 20 janar. Por, ky urdhër administrativ do të hyjë në fuqi pas 45 ditësh, d.m.th. gjatë mandatit të presidentit të ri. Ndërsa sipas njoftimeve të "Wall Street Journal"-it, Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes po zhvillojnë diskutime me Departamentin e Thesarit për të vlerësuar ndikimet e mundshme të këtij veprimi ndaj tregut të kapitaleve. Zbatimi i këtij plani është ende në diskutim e sipër dhe ka mundësi që të mos zbatohet.

"Nga këto, mund të kuptojmë se ky urdhër ekzekutiv është një 'minë' e vendosur nga administrata e tanishme për të konsoliduar qëndrimin e fortë të ShBA-së ndaj Kinës në të ardhmen. Është një komplot dashakeqës", thuhet në komentin e CMG-së.

Sipas komentit, në katër vjetët e kaluar Kina u konsiderua si konkurrentja më e madhe strategjike e ShBA-së prej autoriteteve amerikane, të cilat ndërmorën sulme në aspekte të ndryshme, një prej të cilave është frenimi i zhvillimit të ndërmarrjeve kineze të teknologjisë së lartë dhe të internetit.

Nga bllokimi i gjithanshëm i “Huawei”-t që ka epërsi në teknologjinë 5G e detyrimi ndaj “TikTok”-ut të shiste biznesin e tij në ShBA, deri në heqjen e tre operatorëve kinezë të telekomunikacionit nga Bursa e Nju-Jorkut, "arsyeja e palës amerikane është kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare, por deri tani ajo nuk ka mundur të paraqesë dëshmi bindëse", shkruhet në koment.

Sipas njoftimeve të " Wall Street Journal", tetë aplikacione kineze që janë ndaluar këtë herë në ShBA nuk janë shumë të përhapura. Për shembull, në dyqanet e aplikacioneve të “Apple” dhe të “Google”, “Alipay” dhe “Wechat” janë shkarkuar vetëm 207 mijë herë dhe 1.6 milionë herë. "Fakte të tilla i nxjerrin të pavlefshme thëniet që këto aplikacione kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të ShBA-së. Zgjerimi i sferës së “kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare” pasqyron maninë e disa politikanëve amerikanë ndaj zhvillimit të Kinës", komenton CMG-ja.

Në koment përmenden tre synime kryesore për këto sjellje maniake, që përkatësisht janë përbaltja e imazhit të Kinës në opinionin publik amerikan, përdorimi i metodave të padrejta për të mbrojtur aftësitë konkurruese në fushën teknologjike dhe akumulimi i kapitalit politik për karrierë vetjake nëpërmjet pengimit të bashkëpunimit amerikano-kinez.(Zhang Yan/Artan)