Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh të hënën në Pekin se qeveria kineze i kushton vëmendje të madhe sigurisë dhe efektivitetit të vaksinave të koronavirusit dhe do të japë kontributin e Kinës për ofrimin e vaksinave me çmime të arsyeshme.

Siç njoftohet, vendet e pasura kanë porositur 9 miliardë ndër 12 miliardë dozat e vaksinave që parashikohet të prodhohen vitin tjetër. Për shumicën e vendeve të tjera, vaksina kineze mund të jetë zgjedhja e vetme. Por disa dyshojnë në cilësinë e vaksinave kineze të koronavirusit. Zhao Lijian theksoi në konferencën e shtypit se ndërmarrjet kineze të vaksinave kanë zbatuar rreptësisht ligjet shkencore e kërkesat mbikëqyrëse dhe kanë zhvilluar bashkëpunim ndërkombëtar sipas normave ndërkombëtare dhe ligjeve përkatëse.

"Në vende të ndryshme po zhvillohen provat klinike të fazës së 3-të për shumë vaksina kineze, të cilat po ecin siç duhet. Kina ka miratuar përdorimin urgjent të vaksinave brenda vendit dhe nuk ka pasur raste reaksionesh negative serioze deri tani. Sipas të dhënave fillestare të provave klinike, vaksinat kineze kanë siguri dhe efektivitet të mirë. Përveç kësaj, sipas studimeve përkatëse me autoritet, vaksinat kineze të çaktivizuara mund të ruhen dhe të transportohen nëpërmjet sistemit të tanishëm frigoriferik, pa shtuar koston e transportit, prandaj mund të popullarizohen më gjerësisht," u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Zhao Lijian-i vuri në dukje gjithashtu se Kina do të mbajë si gjithmonë premtimet e saj se vaksinat kineze do të bëhen produkte publike globale, duke iu ofruar botës me çmime të arsyeshme dhe në mënyrë të barabartë. Kina do të shqyrtojë mundësinë e ofrimit të vaksinave ndaj vendeve në zhvillim në mënyra të ndryshme, si dhurimet dhe ndihma falas. (Xu Guang)