Më 25 tetor, sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit Mike Pompeo nisi një tur aziatik në Indi, Sri-Lankë, Maldive dhe Indonezi. Analistët janë të mendimit se kjo vizitë synon nxitjen e këtyre vendeve ta kundërshtojnë së bashku Kinën. Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, ku vihet në dukje se Mike Pompeo ka përsëritur në shumë mitingje ndërkombëtare shantazhet kundër Kinës nën pretekstin që nisma “Një brez, një rrugë” do t’i fusë vendet pjesëmarrëse në “kurthin e borxheve”. Por në fakt, këto gënjeshtra kanë ngjallur pakënaqësinë e bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas komentit, deri në majin e sivjetshëm, 138 vende dhe 30 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi me Kinën brenda kornizës “Një brez, një rrugë”. “Këto janë vota pro dhe besim të palëve të ndryshme ndaj nismës kineze. Mirëpo, Pompeo gjatë vizitës në Europë dhe pjesëmarrjes në shumë mbledhje ndërkombëtare, kërcënon vazhdimisht vende të tjera nën pretekstin e të ashtuquajturit ‘kurth i borxheve’. Thënie të tilla janë kundërshtuar gjerësisht. Për shembull, kryeministri kroat Andrej Plenković vlerësoi në praninë e Pompeos nismën ‘Një brez, një rrugë’ si një formë e zgjuar e Kinës për të mbajtur lidhjet, dialogun politik dhe kornizën e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Europës Qendrore e Lindore. Presidenti i Sri-Lankës Gotabhaya Rajapaksa hodhi poshtë edhe një herë thëniet që Kina e ka futur vendin e tij në ‘kurthin e borxheve’ dhe ripohoi kontributet e mëdha që Kina ka dhënë për ndërtimin infrastrukturor të vendit. Ndërsa, presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta, gjatë një interviste për CNN-in vuri në dukje se ‘Po, kemi marrë hua nga Kina. Por morëm edhe nga ShBA-ja’”.

A është e vërtetë që vendet pjesëmarrëse të ‘Një brez, një rrugë’ bien në “kurthin e borxheve”? Faktet flasin vetë. Të dhënat tregojnë se ndër borxhet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse, ato nga projektet me Kinën zënë një përqindje shumë të vogël dhe deri tani nuk ka asnjë vend që është zhytur në borxh për shkak të bashkëpunimit me Kinën. Por, informacionet e publikuara nga FMN-ja tregojnë se deri në fund të vitit të kaluar, 40% e vendeve afrikane ranë në vështirësi të kthimit të borxheve, por huadhënësit e të cilave janë banka dhe ndërmarrje amerikane dhe europiane.

“Tani, para ndikimeve të sjella nga pandemia COVID-19, për të ndihmuar vendet e tjera në zhvillim, Kina ka marrë pjesë aktivisht në planin e G20-s për shtyrjen e shlyrjes së borxheve për të lehtësuar gjendjen në 73 vende të varfëra. Nga ana tjetër, ajo nxit pandërprerë projektet e bashkëpunimit brenda nismës ‘Një brez, një rrugë’ për të ngritur aftësinë e vendeve përkatëse në zhvillim të vazhdueshëm vendor. Nga janari deri në shtatorin e sivjetshëm, investimet kineze në vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Të gjitha këto tregojnë se nisma e Kinës nuk është për të krijuar ‘kurthin e borxheve’, por është ndihmë për pjesëmarrësit në vështirësi”, përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Albana)