Arritjet e Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit në zhvillimin ekonomiko-shoqëror, zhdukjen e varfërisë, bashkimin dhe harmoninë e pakicave kombëtare si dhe të drejtat e njeriut, rezultatet e luftës anti-terroriste dhe të çradikalizmit janë të dukshme, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi të organizuar të hënën në Pekin.

Ai i tha këto në përgjigjen e një pyetjeje lidhur me vizitën e diplomatëve arabë në rajonin e Xinjiang-ut. Sipas tij, diplomatët nga 20 vende arabe dhe Lidhja Arabe bënë një vizitë në Xinjiang nga 19 deri më 22 tetor.

“Ata vizituan kompani, shkolla, lagje, u njohën me projekte të zbutjes së varfërisë dhe folën me banorët e zonave rurale, duke mësuar më shumë mbi qëndrueshmërinë shoqërore, barazinë dhe bashkimin etnik, përmirësimin e jetesës dhe zhvillim ekonomik vendor. Ata vizituan edhe institute islame dhe xhami për të mësuar nga afër mbi mbrojtjen e lirisë fetare në Xinjiang”, tha zëdhënësi.

Sipas tij, diplomatët arabë vlerësuan lart arritjet e Xinjiang-ut në zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Disa prej tyre vunë në dukje se thashethemet për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë e sidomos në rajonin kinez të Xinjiang-ut janë të pabaza dhe se duhet të mësohet nga përvoja e Xinjiang-ut në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.

Të shohësh është të besosh. “Kina mirëpret miq nga të gjitha vendet ta vizitojnë Xinjiang-un dhe t’i tregojnë botës një Xinjiang të vërtetë, të bukur dhe të larmishëm”, shtoi Zhao. (Zhang Yan/Albana)