Rimëkëmbja ekonomike e Kinës u përshpejtua në tremujorin e tretë të këtij viti me rritjen e PBB-së për periudhën korrik-shtator në 4.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, falë shtimit të investimeve dhe eksporteve, sipas të dhënave zyrtare të hënën.

Rritja ishte më e lartë se 3.2 për qind që ishte në tremujorin e dytë, duke përmbysur tkurrjen rekord 6.8 për qind në tremujorin e parë. Megjitatë shifra e rritjes së tremujorit të tretë ishte më e ngadaltë sesa parashikimi mesatar i 5.2 për qind nga sondazhi i “AFP”-së dhe sondazhi i “Reuters” dhe 5.3 për qind nga “Bloomberg”.

Në nëntë muajt e parë, ekonomia e vendit u tkurr 0.7 për qind nga një vit më parë, sipas Drejtorisë Shtetërore të Statistikave. Në gjysmën e parë të vitit, ekonomia ra me 1.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

"Rritja e PBB-së në tremujorin e tretë u përshpejtua nga gjysma e parë e vitit, e nxitur nga infrastruktura dhe investimet në pasuri të patundshme, si dhe një performancë e lartë në eksport," tha për CGTN-in kryeekonomisti i Bankës Hang Seng në Kinë, Wang Dan.

Drejtoria Shtetërore e Statistikave tha në një njoftim se, "Në përgjithësi, ekonomia kombëtare vijoi rimëkëmbje të qëndrueshme dhe rezultate të rëndësishme janë arritur në bashkërendimin e parandalimit dhe zhvillimit të epidemisë".

Në tre tremujorët e parë, vlera e shtuar e ndërmarrjeve të mëdha industriale u rrit me 1.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Prodhimi industrial u rrit 6.9 për qind në shtator me bazë vjetore, 1.3 pikëpërqindje më i lartë se rritja në gusht.

Shitjet me pakicë u rritën 3.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në shtator, përkundrejt një rritjeje prej 0.5 për qind në gusht. Megjithatë, shitjet me pakicë janar-shtator ranë 7.2 për qind me bazë vjetore.

Shkalla zyrtare e papunësisë në zonat urbane u ul në 5.4 për qind në shtator. Nga janari deri në gusht, u hapën 7.81 milionë vende pune në zonat urbane.

"Ekonomia kineze mbetet elastike me potencial të madh. Parashikohet rimëkëmbje e vazhdueshme, nga e cila do të përfitojë rimëkëmbja globale," tha Yi Gang, guvernatori i bankës qendrore të Kinës, gjatë një seminari ndërkombëtar në internet të G30-s. Yi tha se ekonomia do të rritet me rreth 2 për qind këtë vit.

(Albana)