Foto nga VCG

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, prezantoi planet për një tjetër paketë lehtësimi tatimore me vlerë më shumë se 10 miliardë euro (10.3 miliardë dollarë amerikanë) për t'u përballur me inflacionin e lartë.

“Njerëzit janë të shqetësuar për inflacionin. Me rritjen e çmimeve të konsumit për ushqimin dhe gazin, duhet të ndërmerren veprime konkrete”, -tha Lindner, përcjell “Xinhua”.

Me një të ashtuquajtur ligj të kompensimit të inflacionit, do të rritet paga bazë pa u taksuar. Punonjësit gjermanë do të kenë mesatarisht 190 euro shtesë të ardhura vitin e ardhshëm.

Në korrik, norma e inflacionit të Gjermanisë mbeti e lartë, në 7.5 për qind. Në maj, inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës arriti kulmin në 7.9 përqind, niveli më i lartë që nga kriza e parë e naftës që goditi vendin në dimrin e 1973/1974.

“Pavarësisht një efekti të lehtë në rënie nga masat e qeverisë, si bileta 9 euro për transportin publik dhe ulja e çmimit të karburantit, arsyeja kryesore për inflacionin e lartë është ende rritja e çmimeve për produktet energjetike”,- tha Georg Thiel, drejtor i Zyrës Federale të Statistikave (Destatis).

Sipas Destatis, çmimet për produktet energjetike në korrik vazhduan të rriteshin me 35.5 për qind nga viti në vit, me çmimet e naftës për ngrohje që është më shumë se dyfishuar. Ndërkohë, çmimet e ushqimeve u rritën për të pestin muaj radhazi, me 14.8 për qind.

Inflacioni është shqetësimi më i madh midis gjermanëve, duke zëvendësuar pandeminë Covid-19, raportoi së fundi instituti i kërkimit të tregut “GfK”.

Si rezultat, konsumatorët po kërkojnë të reduktojnë shpenzimet për ushqime dhe blerjet më të mëdha. Lindner tha se është një detyrë kushtetuese për të ofruar lehtësim të mëtejshëm tatimor në këtë situatë. (Irma)