Foto nga VCG

Pesë vende europiane po dërgojnë përforcime në Francë për të luftuar zjarret në jugperëndim të vendit, njoftoi të enjten presidenti francez Emmanuel Macron.

“Gjermania, Greqia, Polonia, Rumania dhe Austria, partnerët tanë po i vijnë në ndihmë Francës përballë zjarreve. Në të gjithë territorin, më shumë se 10.000 zjarrfikës dhe personel të sigurisë civile janë mobilizuar kundër flakëve”,- shkroi presidenti francez në “Twitter”, citon “Xinhua”.

Katër avionë nga flota e zjarrfikësve të Bashkimit Europian janë dërguar në Francë nga Greqia dhe Suedia, pas një kërkese të autoriteteve franceze, pasi zjarret në pyje po shkatërrojnë veçanërisht Francën jugperëndimore.

Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së është në kontakt të ngushtë me autoritetet franceze për të mbështetur koordinimin e operacioneve të shuarjes së zjarrit.

Përveç kësaj, sateliti “Copernicus” i BE-së është aktivizuar nga Franca për të mbledhur të dhëna thelbësore për reaguesit e parë në zonat e djegura, sipas Komisionit Evropian.

Më shumë se 40.000 hektarë tokë janë djegur gjatë këtij viti në Francë, por ka të ngjarë të arrijnë rreth 50.000 hektarë sipas të dhënave satelitore europiane, më shumë se trefishi i mesatares vjetore për dhjetë vitet e fundit, raportoi “AFP”. (Irma)