
Foto: VCG
Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, deklaroi se megjithëse Irani i ka aftësinë teknike për të ndërtuar një bombë bërthamore, kjo nuk është në axhendë.
“Irani ka aftësinë teknike për të ndërtuar një bombë atomike, por një program i tillë nuk është në axhendën e Republikës Islamike”, tha Eslami për agjencinë e lajmeve “Fars”, cituar nga “Xinhua”.
Sipas tij, disa vende perëndimore kanë bërë akuza të rreme për të mashtruar publikun.
Deklarata e tij vjen pasi Kamal Kharrazi, kreu i Këshillit Strategjik të Marrëdhënieve me Jashtë të Iranit, deklaroi në fund të korrikut se Irani ka aftësitë e nevojshme teknike, si rritja e pasurimit të uraniumit nga 20 për qind në 60 për qind, por nuk ka ndërmend të ndërtojë një bombë bërthamore.
Eslami theksoi se Irani kishte vendosur të fikte kamerat e vëzhgimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të instaluara në vendet e tij bërthamore në përgjigje të akuzave të rreme nga vendet perëndimore për t'i bërë presion Iranit.
Në qershor, Bordi i Guvernatorëve të IAEA miratoi një rezolutë kundër Iranit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania pas raporteve të agjencisë se Teherani zyrtar nuk kishte dhënë shpjegime teknikisht të besueshme për grimcat e uraniumit në tre vende të padeklaruara.
Në vazhdën e miratimit të rezolutës së IAEA-s, Irani njoftoi vendimin e tij për të marrë një sërë masash, duke përfshirë fikjen e kamerave të vëzhgimit të IAEA-së në zonat bërthamore. (Irma)







