OBSH, Lija e majmuneve (Foto Xinhua)

OBSH, Lija e majmuneve (Foto Xinhua)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se shpërthimi aktual i lisë së majmunëve në shumë vende jashtë zonave tradicionale endemike në Afrikë është kthyer tashmë në një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.

Pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencës të OBSH-së, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus njoftoi vendimin në një konferencë shtypi për të dhënë nivelin më të lartë të alarmit që autoriteti global shëndetësor mund të lëshojë për momentin, edhe pa një konsensus të komisionit, citon “Xinhua”.

“Pra, me pak fjalë, ne kemi një shpërthim që është përhapur në mbarë botën me shpejtësi, përmes mënyrave të reja të transmetimit, për të cilat ne kuptojmë shumë pak dhe që plotëson kriteret në Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit. Për të gjitha këto arsye, unë kam vendosur që shpërthimi global i lisë së majmunëve përfaqëson një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, -tha Tedros.

Ai përmendi pesë arsye pas vendimit. Së pari, informacioni i dhënë nga vendet tregon se ky virus është përhapur me shpejtësi në shumë vende që nuk e kanë parë më parë; së dyti, tre kriteret për deklarimin e një PHEIC sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit janë përmbushur; së treti, këshilla e Komitetit të Emergjencave, edhe pa konsensus; së katërti, parimet shkencore, dëshmitë dhe informacionet tjera relevante të cilat aktualisht janë të pamjaftueshme dhe na lënë me shumë të panjohura; dhe së pesti, rreziku për shëndetin e njerëzve, përhapja ndërkombëtare dhe potenciali për ndërhyrje në trafikun ndërkombëtar.

Sipas tij, shpërthimi ka vazhduar të rritet me mbi 16.000 raste nga 75 vende dhe territore të raportuara në OBSH, duke përfshirë pesë vdekje.

Lija e majmunëve, e zbuluar për herë të parë te majmunët laboratorikë në vitin 1958, supozohet se transmetohet nga kafshët e egra si brejtësit te njerëzit, ose nga njeriu te njeriu. Raste të shumta të virusit janë raportuar gjatë javëve të fundit në disa vende evropiane dhe Amerikën e Veriut, të cilat janë rajone ku virusi nuk gjendet normalisht.

Sipas OBSH-së, sëmundja endemike e lisë së majmunëve është normalisht e kufizuar gjeografikisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. Identifikimi i rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara të lisë së majmunëve pa ndonjë histori udhëtimi në një zonë endemike në shumë vende është atipik. (Irma)