Foto: VCG

Foto: VCG

Ndihma e dhënë nga Kina për Kenian dhe Sudanin përmes programit “Bashkëpunimi Kinë-Afrikë në shëndetin e nënës dhe të porsalindurve” ka përfunduar dhe ka qenë i suksesshëm. UNICEF-i bëri të ditur se programi ka ndihmuar në shtrirjen e disa prej iniciativave shëndetësore me ndikim më të madh në vendet që mendohet se kanë nevojë urgjente për shërbime shëndetësore.

Në dy evente të veçanta javën e kaluar, përfaqësues të UNICEF-it në Kenia dhe Sudan iu bashkuan Ambasadave përkatëse Kineze, për të shprehur vlerësimin e tyre. UNICEF shtoi se përfundimi me sukses i projekteve me rezultatet e dëshiruara pasqyron bashkëpunimin e shëndoshë midis Kinës dhe UNICEF-it.

Gjatë nënshkrimit të Certifikatës së Përfundimit në zyrat e Kombeve të Bashkuara, në Nairobi, Maniza Zaman, përfaqësuese e UNICEF-it në Kenia, konfirmoi se fondet nga Kina u përdorën për të zbatuar projekte të shumta në tetë qarqe në të gjithë vendin.

“Ky kontribut ka siguruar që gratë, fëmijët dhe të porsalindurit që jetojnë në zonat e pafavorizuara të Kenias të kenë akses të përmirësuar në shërbimet shëndetësore riprodhuese, të nënës, të porsalindurve dhe fëmijëve. Me mbështetjen e këtij granti bujar, është mundësuar zgjerimi dhe forcimi i rrjetet të kujdesit parësor shëndetësor në katër qarqe që tani kanë shërbime më të forta shëndetësore komunitare. Ky është niveli i parë i kujdesit shëndetësor parësor i përshkruar në kuadrin strategjik të qeverisë së Kenias”, -tha Zaman.

Përveç ofrimit të shërbimeve shëndetësore të nënës, të porsalindurve dhe fëmijëve, fondet ndihmuan në blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve mjekësore për 159 objekte shëndetësore, nga të cilat përfitojnë mbi 3 milionë qytetarë kenianë.

Ambasadori kinez në Kenia, Zhou Pingjian, shprehu kënaqësinë se mbështetja e Kinës kishte ndikuar shumë në jetën e kenianëve, veçanërisht në pjesët e largëta të vendit. “Kemi kënaqësinë që bashkërisht të konfirmojmë se projekti është përfunduar me sukses dhe ka arritur rezultatet e dëshiruara. Shpresojmë se do të kemi më shumë bashkëpunim në të ardhmen, në mënyrë që të japim një kontribut më të madh në zhvillimin socio-ekonomik të Kenisë”, -tha ambasadori Zhou.

Ai vuri në dukje se promovimi mjekësor dhe shëndetësor në Afrikë mbetet një nga prioritetet kryesore të Kinës, në kuadër të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë. Zhou theksoi se programe të mëdha shëndetësore do të shtrihen në kontinent për të forcuar bashkëpunimin dypalësh.

Ndërsa, ambasadori kinez në Sudan, Ma Xinmin, iu bashkua Mandeep O'Brien, përfaqësuesja e UNICEF-it në Sudan, për të njoftuar përfundimin e projektit për shëndetin e nënës, të porsalindurve dhe fëmijëve. Sipas O'Brien, UNICEF-i në Sudan, me mbështetjen e Kinës, ka punuar për të përmirësuar aksesin në shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor prenatal dhe neonatal për gratë dhe fëmijët në këtë vend.

“Mbështetja bujare e qeverisë dhe popullit të Kinës na ka dhënë një mundësi për të parandaluar vdekjet e të porsalindurve dhe do të ketë një ndikim të qëndrueshëm”, -tha O'Brien. Ajo shtoi se UNICEF-i në Sudan në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka mundur të trajnojë mbi 100 mami, që tani mbështesin komunitetet e tyre dhe përmirësojnë aksesin në shërbimet e hershme thelbësore dhe urgjente të kujdesit të të porsalindurve për 59.400 nëna dhe fëmijët e tyre.

Në fjalën e tij, ambasadori Ma tha se përmirësimi i shëndetit të nënës dhe fëmijës është në axhendën kryesore të qeverisë së Kinës. Ai vuri në dukje se ky projekt ka përfituar jo vetëm mbështetje financiare por edhe mbështetje teknike përmes shkëmbimit të njohurive me punonjësit e shëndetësisë për reduktimin e vdekshmërisë amtare dhe neonatale.

Në gusht 2018, delegatë nga vendet afrikane, Bashkimi Afrikan dhe Kina u bashkuan në një thirrje kolektive në Pekin për të bërë realitet përfundimin e vdekjeve të parandalueshme të të porsalindurve përmes bashkëpunimit të forcuar Jug-Jug që do të rriste investimet dhe do t'i jepte përparësi shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënat e tyre.

Si rezultat, projekti i Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në shëndetin e nënave dhe të porsalindurve u lançua në shtatë vende afrikane, për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe të të porsalindurve në Afrikë duke u mbështetur në shembuj të suksesshëm nga përvoja e Kinës.