Foto: VCG

Foto: VCG

Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje të hënën për 400 milionë dollarë amerikanë për të ofruar shërbime minimale humanitare për të lehtësuar nevojat e banorëve të Sudanit të Jugut.

“Ne kemi nevojë për fonde urgjente dhe po i bëjmë thirrje botës që të kujtojë më të cenuarit në Sudanin e Jugut”, -tha koordinatorja humanitare për Sudanin e Jugut Sara Beysolow Nyanti në një deklaratë të lëshuar në Juba, duke theksuar kontekstin humanitar në vend.

Zyrtarja e OKB-së paralajmëroi se nëse nevojat humanitare nuk adresohen, këto boshllëqe financimi do të lënë miliona njerëz më të cenueshëm në rrezik të humbjes së aksesit në ndihmën dhe mbrojtjen jetike humanitare, citon “Xinhua”.

Nyanti tha se nevojitet mbrojtja e grave dhe vajzave, ushqimi dhe strehimi, duke paralajmëruar se mungesa e sigurisë do t'i thellojë më tej këto rreziqe.

“Burimet janë pakësuar, por jetët nuk duhet të pakësohen”, -tha Nyanti, duke vënë në dukje se ka më shumë se 2 milionë njerëz të zhvendosur në Sudanin e Jugut.

Zyrtarja e OKB-së thotë se rreth 8.9 milionë njerëz në Sudanin e Jugut vlerësohet se kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje të konsiderueshme humanitare në vitin 2022. Plani i reagimit humanitar kërkon 1.7 miliardë dollarë për të synuar 6.8 milionë njerëz me ndihmë dhe shërbime mbrojtëse për shpëtimin e jetës. Plani i reagimit humanitar, megjithatë, aktualisht financohet vetëm në 27 për qind.

Nyanti tha se boshllëqet e financimit janë në të gjitha ndërhyrjet humanitare në vend dhe pasoja të rënda janë të mundshme nëse financimi urgjent nuk sigurohet.

Agjencia e OKB-së paralajmëroi se mungesa e fondeve për mbështetjen e ushqimit do të lërë menjëherë 127.000 fëmijë dhe 115.000 gra shtatzëna ose në laktacion pa shërbime jetike të trajtimit. Dhe, sipas OKB-së, rreth 1.9 milionë njerëz nuk do të kenë akses në ujë të pastër, shërbime sanitare dhe higjienike pa më shumë fonde. (Elona)