Foto: VCG

Foto: VCG

Palestina hodhi poshtë të hënën rezultatet e hetimit balistik të ndjekur nga ekspertët amerikanë për të shtënat me armë që vranë gazetaren palestinezo-amerikane në Bregun Perëndimor në maj.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite njoftoi se hetimi nuk mund të përcaktojë palën përgjegjëse për vrasjen e Shireen Abu Akleh, reporteres së kanalit të lajmeve të Katarit “Al-Jazeera” në territoret palestineze, raporton “Xinhua”.

Zëdhënësi i presidentit palestinez Nabil Abu Rudeineh tha në një deklaratë se pala palestineze e mban Izraelin plotësisht përgjegjës për vrasjen e Abu Akleh dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ruajnë besueshmërinë e tyre.

Të shtunën, plumbi që vrau Abu Akleh iu dorëzua Michael Wenzel, koordinatori amerikan i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, për një ekzaminim balistik profesional dhe të pavarur.

Testi balistik u krye në një laborator izraelit të mjekësisë ligjore me përfaqësues me përvojë nga Shtetet e Bashkuara, që ndoqën të gjitha fazat e testit për të përcaktuar armën nga e cila u shkrep, njoftoi ushtria izraelite në një deklaratë.

“Pavarësisht përpjekjeve të bëra, është konstatuar se në dritën e gjendjes së plumbit dhe cilësisë së shenjave në të, nuk është e mundur të përcaktohet nëse plumbi është shkrepur nga arma e testuar apo jo”, -thuhet në deklaratë.

Duke përmbledhur hetimet izraelite dhe palestineze, koordinatori amerikan i Sigurisë tha në një deklaratë se të shtënat me armë nga pozicionet izraelite ishin “me gjasa përgjegjëse” për vdekjen e Abu Akleh, por nuk u gjet asnjë arsye për të besuar se kjo ishte e qëllimshme.

Abu Rudeineh tha se pala palestineze nuk do të pranojë, në asnjë rrethanë, ndërhyrjen me rezultatin e hetimit palestinez.

“Ne do ta ndjekim rastin e vrasjes së Abu Akleh në gjykatat ndërkombëtare, veçanërisht para Gjykatës Penale”, -shtoi ai.

Abu Akleh, 51 vjeçe, u qëllua nga një plumb në kokë më 11 maj ndërsa mbulonte një inkursion të ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve në Bregun Perëndimor verior. (Elona)