
Foto: VCG
30 aleatët e NATO-s nënshkruan të martën protokollet e pranimit për Suedinë dhe Finlandën, duke filluar procesin për pranimin e dy vendeve nordike në aleancë, që ndoshta përbën një sfidë të rëndë për sigurinë globale.
“Me 32 kombe rreth tryezës, ne do të jemi edhe më të fortë dhe njerëzit tanë do të jenë edhe më të sigurt, pasi përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada”, -deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për shtyp pas ceremonisë së nënshkrimit, bën të ditur “Xinhua”. Ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto dhe ministrja e Jashtme e Suedisë Ann Linde morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.
30 anëtarët e NATO-s ftuan zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë për t'u bashkuar me aleancën e tyre në samitin e NATO-s të mbajtur javën e kaluar në Madrid, Spanjë, vetëm shtatë javë pasi të dy vendet dorëzuan aplikimet e tyre.
Procesi i pranimit fillimisht u bllokua nga Turqia, një anëtare e NATO-s që ngriti shqetësime për luftën kundër terrorizmit. Pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi (MOU) me Finlandën dhe Suedinë, Turqia hoqi veton e saj përpara samitit të NATO-s në Madrid.
Hapi tjetër është që parlamentet e të 30 anëtarëve të NATO-s të ratifikojnë pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, sipas procedurave të tyre kombëtare.
Aderimi i fundit u ratifikua brenda një viti, tha Stoltenberg, por duke qenë se procesi i pranimit të Suedisë dhe Finlandës është përshpejtuar që në fillim, kjo mund të shkojë më shpejt. (Elona)







