
Saminiti G7 (Foto Xinhua)
Udhëheqësit e G7-s nisën samitin treditor të dielën në Schloss Elmau në Alpet bavareze të Gjermanisë jugore, mes pritshmërive të ulëta dhe protestave, njofton “Xinhua”.
Konflikti i vazhdueshëm Rusi-Ukrainë, veçanërisht sanksionet kundër Rusisë, do të mbizotërojnë diskutimet në samitin e vendeve më të industrializuara të botës. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të dielën se G7-a do të vendosë një ndalim për importet e arit rus.
Në seancën e parë të punës të dielën, liderët diskutuan çështjet ekonomike globale.
Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se të gjitha vendet e G7-s janë të shqetësuara për krizat aktuale: ritmet e rënies së rritjes në disa vende, rritja e inflacionit, mungesa e lëndëve të para dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit.
Liderët e G7-s nisën një iniciativë globale për infrastrukturën dhe investimet miliarda dollarëshe, të quajtur “Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale”.
Një burim i qeverisë federale gjermane bëri të ditur se samiti do të diskutojnë: kufijtë e çmimeve të naftës ruse, një masë që parashikon detyrimin e Rusisë për t'u shitur naftë blerësve të mëdhenj si India me një çmim dukshëm më të ulët në të ardhmen; krizën ushqimore të shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë. Ata do të përpiqen të kërkojnë mënyra për të zhbllokuar eksportet e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi dhe të bëjnë premtime financiare për të ndihmuar vendet më të goditura nga kriza; ndryshimet klimaterike, duke krijuar një klub klimaterik të paraqitur nga Scholz.
Përveç liderëve të Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Kanadasë, Britanisë, Italisë, Francës dhe Bashkimit Evropian, liderë nga India, Indonezia, Afrika e Jugut, Senegali dhe Argjentina janë ftuar të marrin pjesë në samit.
Sipas ekspertëve, blloku perëndimor pritet të përfitojë nga samiti i G7-s për t'u përpjekur të bindë vendet e mëdha në zhvillim që t'i bashkohen sanksioneve të tyre kundër Rusisë.
Megjithatë, Gjermania u përpoq të zbehte pritshmëritë e këtij samiti. Në podkastin e tij javor, Scholz tha se megjithëse Elmau, vendi i samitit, shtrihet në male, ata sigurisht që nuk do të lëviznin malet.
Të shtunën, rreth 4000 persona marshuan në Mynih kundër samitit të G7-s, me disa grupe protestuese që akuzuan vendet e mëdha perëndimore se shkaktuan konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës dhe se e bënë të gjithë botën të përballojë pasojat e konfliktit, përfshirë krizën e ushqimit.

protestuesit iu afruan vendit të samitit
Demonstratat vazhduan dhe protestuesit iu afruan vendit të samitit të dielën pasdite. Më shumë se 1000 protestues morën pjesë në demonstrata, sipas organizatorëve. (Fatosi)







