Iraku synon të rrisë prodhimin e naftës së papërpunuar në 8 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2027, për të përmbushur angazhimin e tij për të eksportuar kuotën brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), deklaroi ministri irakian i Naftës, Ihsan Abdul-Jabbar Ismail, përcjell “Xinhua”.

Foto:VCG
“Iraku po punon për të shtuar aftësitë e tij për të rritur kapacitetin e prodhimit të naftës. Kemi projekte të mëdha për të rritur prodhimin dhe jemi të përkushtuar të arrijmë prodhimin maksimal prej 8 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2027”, -tha Ismail për agjencinë zyrtare të lajmeve irakiane.
Sipas ministrit, projektet janë përqendruar veçanërisht në fushat e naftës në provincën jugore të Basrës. Ai theksoi se tavani i eksporteve të naftës irakiane në qershor është 3.8 milionë fuçi në ditë dhe korrik 3.85 milionë.
Ministria irakiane e Naftës njoftoi se kishte eksportuar rreth 102 milionë fuçi naftë bruto në maj, me një mesatare prej 3.3 milionë fuçi në ditë.
Deklarata e Ismailit erdhi pasi OPEC dhe aleatët e tij, të njohur kolektivisht si OPEC+, vendosën të rrisin ndjeshëm furnizimin me naftë në korrik dhe gusht në një përpjekje për të stabilizuar çmimet në rritje të naftës.
Ekonomia e Irakut mbështetet shumë tek eksportet e naftës së papërpunuar, të cilat përbëjnë më shumë se 90 për qind të të ardhurave të vendit. (Irma)







