Tensionet në rritje midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) kanë ulur shanset për rifillimin e shpejtë të bisedimeve të Vjenës për rivendosjen e paktit bërthamor, sipas ekspertëve.
Irani kohët e fundit ka hequr një numër të kamerave monitoruese të instaluara nga IAEA në objektet e tij bërthamore në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), nga i cili administrata e SHBA-së nën Donald Trump u largua në vitin 2018.
Masa e Teheranit ishte në përgjigje të miratimit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të një rezolute të hartuar nga SHBA-ja dhe trojka evropiane - Francë, Britani dhe Gjermani - që kritikonte Iranin për atë që ata e quajtën "dështim" për t'iu përgjigjur pyetjeve të Agjencisë në lidhje me vendet bërthamore "të padeklaruara".
"Unë mendoj se kjo do të jetë një goditje fatale për bisedimet e Vjenës midis Iranit dhe fuqive të mëdha për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015”,- tha Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në takimin e Bordit të Guvernatorëve javën e kaluar.

VCG
Reza Nasri, një ekspert iranian për marrëdhëniet ndërkombëtare, i tha të përditshmes iraniane “Ebtekar” të dielën e kaluar se rezoluta e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ishte një zhvillim negativ në procesin diplomatik.
“Çfarë do të ndodhë me çështjen bërthamore iraniane tani e tutje varet, pjesërisht, nga reagimi i Iranit ndaj rezolutës dhe reagimi i palës tjetër ndaj hapave të Iranit”, - tha Nasri.
“Me fjalë të tjera, nëse kjo bën që Irani dhe pala tjetër të hyjnë në një dinamikë kokëfortësie dhe një cikël në rritje tensioni, natyrshëm ringjallja e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit do të përballet me probleme gjithnjë e më të ndërlikuara",- shtoi Nasri.
Amir Ali Abolfath, një ekspert iranian për çështjet amerikane, i tha agjencisë zyrtare të lajmeve “IRNA” se rezoluta e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, si dhe pavendosmëria e SHBA-ve në bisedimet e Vjenës, nuk tregojnë një atmosferë premtuese për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.
Ndërsa disa ekspertë janë më pak shpresëdhënës për rifillimin e bisedimeve të Vjenës, të tjerë nuk e konsiderojnë rezolutën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si një pengesë për vazhdimin e negociatave. Ata besojnë se rezoluta nuk është një notë ndëshkuese.
Hadi Khosroshahin, një ekspert iranian për çështjet ndërkombëtare, shkroi në të përditshmen “Melli” të dielën se deri sot, as Shtetet e Bashkuara dhe as Irani nuk duan të shpallin kapitullimin e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit. Kjo do të thotë se të dyja palët janë ende të gatshme të bëjnë një marrëveshje, edhe nëse shanset janë zvogëluar shumë.
Mikhail Ulyanov, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, shkroi të shtunën në “Twitter” se do të ishte padyshim e parakohshme të thuhet se marrëveshja “ka marrë fund".
“Është në një gjendje ngërçi, që ka shumë të ngjarë të vazhdojë për një periudhë të caktuar kohore pas miratimit të rezolutës jo të mirëmenduar dhe kundërproduktive për Iranin nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike”, - tha ai.
Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, e kritikoi rezolutën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si "politike dhe joteknike", ndërsa tha se ndërveprimi midis Iranit dhe Agjencisë do të vazhdojë brenda kornizës teknike.
Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, tha të martën se Irani nuk do të distancohet nga logjika e diplomacisë dhe negociatave për të arritur një "marrëveshje të mirë, të fortë dhe të qëndrueshme" në bisedimet e Vjenës.
Që nga prilli 2021, tetë raunde bisedimesh janë mbajtur në kryeqytetin austriak të Vjenës midis Iranit dhe palëve të mbetura të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, duke përfshirë Kinën, Britaninë e Madhe, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë, për të ringjallur paktin.
Megjithatë, bisedimet e Vjenës kanë ngecur që nga marsi i këtij viti për shkak të dallimeve të mëdha të raportuara midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.







