
Korporata e Ndërtimit të Energjisë së Kinës (PCC) me bazë në Pekin ka përfunduar ndërtimin e një seksioni të ri të bypass-it të Beogradit, një autostradë në formë U-je që rrethon kryeqytetin e Serbisë, njofton “Xinhua”.
Në ceremoninë e inaugurimit të seksionit 3.1 kilometra, i cili përfshin një tunel 700 metra të gjatë, morën pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe anëtarët e qeverisë.
Vuçiç u shpreh i kënaqur me cilësinë e punëve të deritanishme dhe paralajmëroi vazhdimin e tyre përgjatë bypass-it.
“Nëse dëshiron të pasurohesh, ndërto fillimisht një rrugë. Kjo fjalë e urtë kineze përcakton më së miri zhvillimin e Serbisë në vitet e fundit. Ne kemi investuar intensivisht në ndërtimin e rrugëve dhe kemi pasur mbështetjen e miqve tanë nga Kina dhe Azerbajxhani”, -tha Vuçiç.

Edhe pse bypass-i i Beogradit ishte planifikuar të inaugurohej gati tre dekada më parë, ai mbeti i paplotë deri në vitin 2018, kur projekti iu dha kontraktorit kinez “PCC” dhe “Azvirt”, një nënkontraktor nga Azerbajxhani. (Fatosi)







