
Foto: VCG
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje bizneseve në mbarë botën që t'i japin përparësi qëndrueshmërisë, në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, njofton “Xinhua”.
“Ne po i kërkojmë shumë planetit tonë që të mbajë mënyra të jetesës që janë të paqëndrueshme, dhe kjo dëmton jo vetëm Tokën, por edhe banorët e saj. Bizneset duhet të vendosin qëndrueshmërinë në zemër të vendimmarrjes së tyre për hir të njerëzimit dhe rezultatit të tyre përfundimtar. Një planet i shëndetshëm është shtylla kurrizore e pothuajse çdo industrie në Tokë”, -tha shefi i OKB-së.
Guterres tha se planeti është shtëpia jonë e vetme, duke paralajmëruar se ai nuk mund të përmbushë kërkesat tona. Sipas tij, është me rëndësi të madhe të ruhet shëndeti i planetit, duke përfshirë atmosferën, ekosistemet dhe burimet e fundme të tij.
“Nuk mund të injorojmë më këmbanat e alarmit që bien më fort çdo ditë”, -paralajmëroi zyrtari i lartë i OKB-së.
Më shumë se 3 miliardë njerëz janë të prekur nga ekosistemet e degraduara. Sipas shefit të OKB-së, ndotja shkakton rreth 9 milionë vdekje të parakohshme çdo vit dhe më shumë se 1 milion specie bimore dhe shtazore rrezikojnë të zhduken, shumë prej tyre brenda dekadave.
Sipas tij, deri në vitin 2050, më shumë se 200 milionë njerëz rrezikojnë të zhvendosen përmes përçarjes klimaterike çdo vit.
Guterres u kërkoi qeverive që t'i japin përparësi veprimit të klimës dhe mbrojtjes së mjedisit përmes vendimeve politike që promovojnë përparim të qëndrueshëm.







