Përhapja e lisë së majmunëve në Evropë, aktualisht, nuk është një emergjencë e shëndetit publik, bëri të ditur të enjten Agjencia Europiane e Barnave (EMA). “Rreziku që popullata e përgjithshme të kontraktojë sëmundjen është i ulët dhe nuk parashikohet një rritje masive e rasteve”, -tha Marco Cavaleri, kreu i strategjisë së kërcënimeve biologjike të shëndetit dhe vaksinave të EMA-s, citon “Xinhua”.

“Fokusi duhet të mbetet tek identifikimi, monitorimi dhe menaxhimi i rasteve të reja të lisë së majmunëve”, -tha ai në një konferencë shtypi.

Cavaleri theksoi se shpërthimi i lisë së majmunëve është i pazakontë, duke përfshirë përhapjen e madhe gjeografike, por shumica e pacientëve kishin simptoma të lehta dhe u shëruan pa pasur nevojë për trajtime.

EMA po vepron jashtë masës paraprake për të siguruar opsionet për parandalim dhe trajtim nëse është e nevojshme, tha ai.

EMA po diskuton trajtimet dhe vaksinat e disponueshme kundër lisë së majmunëve me kompanitë, theksoi Cavaleri, duke vënë në dukje se dy ilaçe me potencial për t'u përdorur kundër lisë së majmunëve janë tashmë të autorizuara në Bashkimin Evropian. I pari është Tecovirimat, një antiviral i autorizuar për trajtimin e lisë, lisë së majmunëve dhe lisë së lopëve. Tjetri është Imvanex, një vaksinë e autorizuar aktualisht vetëm në BE, për të mbrojtur të rriturit kundër lisë, por të dhënat e kafshëve tregojnë efektivitet në parandalimin e lisë së majmunëve. (Irma)